DHE TOLLOVIA NDJELLAKEQE
Shkruar nga TRABOINI
Një tollovi ogurkeqe, një erë plot re të zeza, një stuhi fjalësh të vrazhdëta shpellore që dalin jashtë kontekstit të artit, letërsisë, kulturës e traditave shqiptare më shtyn të ulem e të shkruaj këtë reagim e thirrje për ti qëndruar larg tundimeve ndjellëse të atyre që në barqet e veta si kazana të pistë gatuajnë gjellën e shtrigave.. Nuk mund të jem i qetë, kur shoh se ajo luftë marroqe me mullijë e erës që është shpifshpallur nëpër faqe të tjera elektronike, a në shtyp në Prishtinë, po don shesh për mejdan edhe tek forumi “Zemra Shqiptare”, ndër më të mirët në Internet. Ishin nëpër këmbë si rriqna, nëpër thoj e nëpër gishta e tani po i afrohen" Zemrës"….Mirëpo Zemra nuk duron tollovinë e ndjellakëqeve. Zemra është vendi i mirësisë, burim jete e jo errësire, prej zemrës buron dashuri e jo urrejtje. Ndaj mbetem pa mend kur shoh këtë agresivitet të atyre që këtë vatër kulture duan ta kthejne në fushbeteje për të larë hesape e për t’i nxjerrë sytë njeri tjetrit.U marrofshin!
Nuk e kam njohur Editorin e këtij forumi internetik, ani pse kam kaluar me qindra herë në faqet e tij. Një sit në mos i shkelqyer, të paktën fort i kënaqëshem, një enciklopedi e vertetë.
Dua që Gëzim Marku të ndjejë çfarë unë vertetë krijova si përshtypje për personin e tij, pa e parë e takuar kurrë. Sepse është puna që e prezanton njeriun shpesh herë më shumë se vetvetja. Puna në shërbim të kombit është indentitet më i fortë se fotografia në një pasaportë e fort ma e dobishme se sa të mburrunit me shprehjen "Oh sa mirë me qënë shqiptar". Për të ndjeva krenari e gëzim për bashkshkodranin Gëzim Marku.
Po sot po provoj hidhërim, megjithëse kurrnji fjalë sado e rënde që mund të përdoret kundër tij, nuk ma ndrron mendimin për Gëzim, shkodranin artdashes që nga Londra ku është emigrant, e ka vënë veten në sherbim të kulturës shqiptare, veçmas në pasqyrimin e krijimtarisë letraro artistike duke krijuar një antologji internetike të qindra autorëve shqiptarë, nga te gjitha trevat, një pasuri kolosale çfarë ende librat në këto përmasa nuk e kanë.
Siç thashë, kam hyrë shumë herë tek Siti “Zemra Shqiptare” por kurrë tek linku debat, ndonëse kam patur njoftime prej miqëve të mi se emri im është lakuar mbarë e mbrapsht prej do xhagajdureve, që nuk dinë gjë tjetër të bëjnë veç luftë, grindje, çpifje. Për më tepër nuk kam hyre sepse e di që debatet e do shqiptarëve janë si të pallmat e gomarëve. Askurrë më pak e asqysh më shumë, kjo sepse ne nuk respektojmë rregullat e bashkbisedimit në debate e polemika. Sa herë nisim një diskutim serioz, dalin ca tipa-rripa, kryesisht anonim dhe bëjnë sulme personale. Nuk na i kursejnë me të shame as robtë e shtëpisë, çfarë ne, malësorë më origjinë, e kemi
Të tillë ka plot. Të shumtit janë me pseudonime. Janë nofka, skutha, braca, kulima. Nuk kanë karakter, nuk janë njerëz që dalin hapur. Se po të dalin hapur me emrat që kanë të paktën je më i qetë sepse ke përpara një njeri që e di se ekziston. Ku dua të dal me këtë. Pikërisht tek debati pa bereqet i sapo nisur në mes Flori Bruqit dhe Gëzim Markut. Nuk është në interesin e askujt që një debat i pistë, i përmutun, që ka 2 vjet që po na shqetëson nepër e-maila personale, të mbartet nga linja e vjetër në një trase të re. Jo ky lloj provokimi nuk duhet te lejohet në forumin “Zemra shqiptare”. Ata që duan ngatrresa të mos shkarkohen mbi Gëzim Markun. Të mos perpiqen ta kruajnë qerosen e vet me duart e të tjerëve.
Ata që e kanë marrë përsipër le ta përballojnë deri në fund këtë debat pislliku te neveritshem. Nuk ka pune bashkshkodrani im Gezim Marku me nda hesapet e disa kosovarëve, që me t’u çliruar Kosova nga pushtimi serb prej aleateve tanë Amerikanë (pa mohuar luftën e djemve trima të UÇK-së), nxorrën pallat e vjetra anadollake e filluan të luftojnë njeri tjetrin me egërsi bishe. U bënë trima. Allaraxolla. Per pira u qofte...Por veç “trima” me vra e prè njeri tjetrin e me ja ba zemren mal armikut.. Po më parë, kur duhej lufta e duheshin luftëtarë, ku ishin. Pse s’u ndjene?! As në Internet nuk u shfaqen. Pas lufte berihaj...Mirë e kish Konica, shqiptari armikun më të madh ka veten. Boll u kam bërë thirrje palëve t’i përfundojnë këto beteja sharlatane, por nuk ka qënë e mundur që të arsyetojnë e ftohin gjakrat.
Të dy palët duke përfshirë profesorë dhe nënpunës biblotekash, shkrimtarë e publiçistë kosovarë, sulmojnë njeri tjetrin madje edhe në gazeta si ajo "Express", në Prishtinë, me të njëjten akuzë të rendë, agjentë të UDB-s. Por faktet qe sjellin jane te vaketa e jo bindese.Tani këtu ka një konfuzion. O kanë qënë të dy palët agjente te UDB-se, o s'ka qënë asnjëra veç bëjnë bla-bla pa bereqet. Veç këta njerëz akuzues duhet të mos spekullojnë me ca mikrofakte, se gjithësecili duhet te gjykohet nga rrethanat dhe pasojat që ka sjellë veprimi i tij. Ndokush mund të jetë kompromentuar, tu jëtë nënshtruar presioneve të dhunëshme psikologjike dhe fizike, por mund të mos ketë bërë kurrfarë krimi ndaj bashkqytetarëve të vet. Kosova ka qënë nën pushtim dhe pushtimet nën shtete shovene si Serbia, dihet se sa të rënda janë. Sa të frikëshme aq shtypse për personalitetin njerëzor.
Nuk i shoh serioze akuzat e bëra publike por vetem si qëllim për të poshtëruar njeri tjetrin. Ndaj larg këtij sherri që nuk na takon as mua e as ty Gëzim Marku,( sepse edhe emri im përmendet shpesh prej tyre).. .
Ne jemi shkodranë, çfarë presupozon të thotë kulturë, ne të dy jemi malësorë, çfarë presupozon trimëri e urtësi, në të dy jemi katolikë, çfarë presupozon të jemi paqësore e altruist, siç na e ushqen doktrina nën shëmbëllesën e Jezuit dhe kryesorja, në të krishterët e Shkodrës kurrë nuk kemi ushqyer urrejtje ndaj besimeve të tjera. Im atë, që në 1910 në gazetën e Dom Ndoc Nikës “Bashkimi-Koha” ka shkruar duke përvijuar Pashko Vasen, jemi vllezër të çdo feje qofshim, jemi shqiptar bijt e ilirëve. Por ama, megjithë këto mirësi që burojnë prej krahinave e fiseve tona, ku respekti për dinjitetin e tjetrit ka qënë i jashtëzakonshëm dhe burrnia e bujaria cilësitë më të vyera, pikërisht ne duhet të manifestojmë edhe mençurinë, që të mos bëhemi masha e tjetrit, të mos bëhemi verla e dreqit.
Nuk kemi punë as unë e as ti Gezim Marku me i da vaden atyre që vertisin shpatat vrastare të fjalëve. Le ti zgjidhin vete. Nuk ka pse të digjet i njomi nëpër të thatë. Le t’u dalë tymi atyre që kërkojnë ta shprushin zjarrin e sherrit e te konfrontimit në vatrën tënde, këtë shtëpi bujare me emrin plot tingëllimë mirësie “Zemra Shqiptare”.
Mbaje “Zemrën” të pastër siç na mëson Nënë Tereza, siç na kanë mësuar me shëmbëllesen e tyre trimat e të urtët e maleve tona Ded Gjo Luli e Mehmet Shpendi, Çun Mula, Marash Uci, Prek Cali e ashtu siç brez pas brezi e kanë pas të pastër e te fisme bijtë e Shkodrës e të Malësisë së Madhe, të cilës unë e ti krenarisht i përkasim.
Mos e vër veshin provokimeve, mos i dëgjo as ata që të thurin lavde, por që unë me intuiten e një jete me trazime, i nuhas se janë ogurzeza e kërkojnë të terheqin në vorbullën e vet të shpirtligësisë e konflikteve që mund të përshkallëzohen deri në hakmarrje primitive! Mos u armiqeso me njeri për hir të një tjetri se kjo botë është më tepër se sa duhet tinzare.
Prapesite i bëjnë të liqtë, por e pësojnë të mirët. Shume djemte të rinj kanë humbur jetën e shumë plagë janë hapur prej ngatrresave që krijojnë njerëz të papërgjegjeshëm. Jam i bindur që edhe baba yt këto këshilla miradije do të jepte, sepse je bir e biri i dhëmb prindin në loçkë të zemrës. I kujto shtatë shaljanët që i preu në besë Veziri i Turqisë në kala të Shkodrës dhe mendo. Djallëzia e intriga e hanë trimin e të drejtin që nuk di hile. E një mësim urtësie ka dalë prej historisë se maleve tona, trimëria pa mençurinë nuk vlen kurrnji grosh. Ndaj pastroje haurin, fshiji të gjitha debatet-helmet e ogurzinjëve gjëmësjellës e mos lër aty asnjë plesht ngatrrestar. Zboji, e si gjyqe behari të shkojnë t’i bëjnë vezët në ndonjë fole tjetër por jo në “Zemren” fisnike të bashkshkodranit e bashkmalësorit tim Gëzim Marku.
“Ju rrit ndera e ju ardhshim për të mirë siç e kanë zakonet e maleve tona, j'u rrite ndera e burrnia si virtutet ma të spikatuna të shqiptarit!”, me këto fjalë i prit e përcill të gjithë në forumin tënd “Zemra shqiptare”. Kohët janë fort të pista, por veç edhe në llom bagtish ta futësh margaritarin ai prap në rreze të diellit vezullon. Koha grryen shkëmbin por jo karakterin e malësorit.
Fola se nuk mund të rrija pa folë, fola se tash këtu po zien kuvendi kazan shtrigajsh, me rend e pa rend, fola sepse po të mos flisja sot do të më randonte ndërgjegja nesër, por fola bash tash, kur punët ende nuk janë çatrafilue e kam shpresë në arsyen e shëndoshë se punët do të vinë për kah e mbara, për nga mbrothësia siç thoshte zemërzjarrti Naimi Frashëri.
Fola me mendimin t’i dal të keqes përpara sepse, trimëria pas lufte e mençuria pas kuvendit nuk vlejnë, hamadreq, kurrnji grosh. Do ta mbyll me fjalët lapidar të Gjergj Fishtës:
Por i urti kurrë nuk ngutet
Prej trimnisë e jo prej tutet!










0 comments:
Post a Comment