Histori me histeri nuk shkruhet


HISTORI ME HISTERI NUK SHKRUHET

KOLEC TRABOINI


Ahmet Bej Zogu nuk ra prej qielli kur hyri me ushtri dhe përmbysi Qeverinë e Fan Nolit (le ta quajmë edhe të paligjshme – nuk ka rëndësi)! Zogu me pasuesit e tij nuk zunë Malet e Shqipërisë, nuk shkuan ta bindnin popullin për drejtësinë e ideve të veta, dhe “paligjshmërinë” e Qeverisë së Nolit, por ndoqën një rrugë tjetër me të lehtë , atë të Beogradit, dhe u bënë puthadorët e vrasësve të popullit shqiptar. Kjo është një e vërtetë historike dhe, sado fakte të reja që të dalin, ato nuk arrijnë ta riparojnë këtë preçedent antikombëtar.

Si mund të quhet legjitim edhe veprimi i Ahmet Zogut, i shpallur mbret nga Asambleja e formuar në prapaskenat e Lal Krosit me Pandeli Evangjelat e 27-tës, kur burrat më të shquar të politikës dhe të shtetit shqiptar që prej shpalljes së Pavarësisë morën rrugën e mërgimit politik, si Noli, Gurakuqi, Sotir Peci, Stavro Vijnau, Hasan Prishtina, Mustafa Kruja e shumë të tjerë?! Ku është kriteri i legjitimitetit në këtë rast?! A e dinë këta që duan ta rishkruajnë historinë sipas klaneve e konjukturave se në të gjithë enciklopeditë Zogu është quajtuir mbret i vetshpallur, sepse që të jesh mbret, sipas disa parimeve monarkiste europiane duhet të kesh gjak blu. Ku e gjeti gjakun blu Ahmet Zogu që e shpalli nënë e vet mbretëreshë si në përrallat me magjistrica “ Gëzuarsh Maktheth, sot je Than e nesër Mbret!”
Gjithashtu, kur bëhet vlerësimi i aktit të Ahmet Zogut në dhjetor 1924, nuk ka pse t’i vihet si sfond rreziku i depërtimit të bolshevizmit në Ballkan nëpërmjet Qeverisë Demokratike të Nolit, kjo jo se nuk është e vërtetë, por gjithsesi, nuk e motivon ardhjen nën ombrellën e Serbisë, nuk e motivon bashkëpunimin me armikun më të madh të popullit shqiptar e që kishte pushtuar gjysmën e territoreve shqiptare ku i shtypte shqiptarët me dhune e gjak.
Dihet që Noli e prishi "biografinë" në arenën ndërkombëtare kur njohu Qeverinë Sovjetike dhe ambasadori bolshevik u nis për në Tiranë...por nuk arriti për shkaqe që dihen. Pra, vënia e portretit historik të Zogut në sfondin e rrezikut që i vinte Ballkanit nga idetë e Tetorit, nuk është e motivueshme në asnjë aspekt ngado që ta kthesh, prandaj nuk i lehtëson damkën e turpit të ardhjes nën bajonetat e armiqve të popullit shqiptar.
Por edhe sikur ta zëmë se lehtësohet disi nga kjo rrethanë, le të operojmë në aspektin tjetër; triumfatorit të dhjetorit 24, së bashku me bajonetat serbe dhe ato të rusëve të bardhë, t’i vemë në sfond edhe ngjarjet tragjike të përgjakura që ndodhnin në Kosovë në atë situatë. Pra, ndërkohë që Ahmet Zogu me paratë, armët dhe izën e Serbisë marshonte me hap të hekurt drejt Tiranës, ushtria serbe masakronte popullin e Kosovës me një tmerr gjaku që nuk e ka parë historia e popujve të tjerë as në Ballkan dhe as në Europë, me barbarizma që nuk kanë të përshkruar, me vrasje, djegie, shkatërrime, përdhunime, djegie për së gjalli të nënave shqiptare së bashku me fëmijët e tyre, pa kursyer pleq e plaka, mbytje në puse, masakrime kolektive të fshatrave të tëra, jo një e dy, por me dhjetra e dhjetra Lidica e Borova Kosovare. Kur flitet për Enver Hoxhën, me të drejtë thuhet se masakra e Tivarit rëndon edhe mbi ndërgjegjen e këtij diktatori shqiptar si aleat i Titos. Por kurrkush nga simpatizantët e Ahmet Zogut nuk e prek realitetin tronditës të marrëveshjes me vrasësit e popullit shqiptar.
Mos vallë për hir të interesave të shteteve evropiane (pengimin e influencave bolshevike në Ballkan) duhen fshirë nga historia lumenjtë e gjakut të popullit shqiptar në Kosovë? Pra, në këtë pikpamje, edhe Ahmet Zogu, si shumica e pushteteve të vendosura me violence, kalon përmes gjakut të popullit martir. Kjo do të thotë se historia nuk i bën kurrfarë lehtësimi megjithë bërbëlitjet e disa qeveritarëve që flasin përçartë e kërkojnë votat e monarkistëve të mbetur tashmë pa prinjës sepse Leka i ri nuk ka kurrfarë gjasash të pozojë me uniformë bufonade mbreti. Eshtë tjetër gjë pastaj të diskutojmë se në 15 vjet të “mbretërimit” të Zogut, Shqipëria u konsolidua si shtet - ky është një realitet me të cilin besoj se bien dakort të dyja palët, qoftë ithtarët, qoftë kundërshtarët e tij, por shtet të konsoliduar kishte edhe Enver Hoxha. Ku janë ndryshimet në staturë e tyre si shtetarë veç shpirtit vrasës e diktatorial që kishin si tipar të përbashkët.

Zogu dhe Noli ishin dy figura komplekse bashkëkohore që përfaqësonin dy rryma politike, të cilat fatkeqësisht, në vend që të plotësonin njëra-tjetrën, duke mos gjetur gjuhën e arsyes, ndoqën rrugën e konfrontimit politik që çoi atje ku dihet, me rrjedhime të disfavorshme për popullin shqiptar. Ky stil ndiqet tragjikisht edhe sot e kësaj dite në skenën e politikës shqiptare.
Gjithsesi, sfondi i bajonetave serbe, shpallja e Shqipërisë mbretëri, shpallja e Zogut mbret me gjithë kundërshtarët politikë të arratisur jashtë Atdheut- është pikë e errët në historinë e mbretërimit të tij (arkivat e Jugosllavisë do të duhet të kenë dokumente të marrëveshjeve të fshehta midis Zogut dhe Beogradit).
Nga ana tjetër të mos harrojmë se në Shqipëri u vu prej fuqive të mëdha një Princ, Vilhelm Vidi, dhe se atë e rrëzuan turkoshakët të cilët nuk duronin një princ të krishterë (siç i thoshin “kaur”). Dhe nëqoftëse Shqipërisë i duhej një mbret si nevojë historike në vitin 1927, përse nuk iu kthyen Vidit, a ndonjë personi tjetër me gjak mbretëror në Europë por pikërisht beut të Matit, i cili nuk kishte gjak mbretëror? Të mos harrojmë se Greqia fqinje, për të evituar grindjet e brendshme për sundim, pranoi mbretin e sjellë nga Europa, familja e të cilit u trashëgua mbi një shekull në fron, deri në vitet 1960.
Natyrisht, kjo nuk mund të bëhej në Shqipëri sepse Zogu e kish "zogun" në dorë dhe nuk donte ta lëshonte, dhe, për më tepër, kishte një parlament pa kundërshtarë politikë e, kështu, nuk ishte e vështirë të bënte atë që bëri, madje në fillim e quajti veten plot pompë "Skënderbeu i III, Mbret i Shqiptarëve" ( lexo: The Vorld Book Encyklopedia, Vol.18.faqe 9902, 1956 USA). Më pas, duke e parë se kjo tingëllonte disi groteske, e uli tonin duke u quajtur thjesht “Mbret”.
Se si e qysh mbretëroi ky mbret, që Serbia ia bëri peshqesh Shqipërisë, dhe analiza e krimeve të tij politike, janë një çështje tjetër që nuk është me vend ta trajtoj këtu, por meqënëse disa aludojnë për influenca sllave tek Fanolistet pra kundërshtarët e Ahmet Zogut, mund të themi se kjo, jo vetëm që nuk qëndron (edhe armiku më i madh i Sllavëve, poeti Gjergj Fishta ka qënë antizogist), por historia ka treguar të kundërtën e, për këtë, mjafton të përmendim një fakt: Kreshnikut të Kosovës e të Shqipërisë Hasan Prishtinës, Qeveria Jugosllave i afroi miliona për ta zbutur si kundërshtar, por kur e pa se ai nuk ishte burrë që tradhëtonte idealet e veta, bëri ç'është e mundur që ta vriste, ja kerkoi kete favor Ahmet Zogut "Mbretit të Shqiptarëve". Ky për të zbatuar porosinë e padronëve të tij serb që e sollën në pushtet, vuri katilin Ibrahim Çela të kryente aktin mizor në një rrugë të Selanikut, në vitin 1933. Me këtë vrasje u fik Kosova.
Kështu që, se kush janë të influencuar nga sllavët ruso-serb; Monarkistët apo Republikanët, Zogistët apo Fannolistët, nuk mund të përcaktohet ex - catedra, por duke u përpjekur, sa të jetë e mundur, për të bërë një analizë të paanëshme dhe duke i vendosur figurat historike në sfondin e ngjarjeve dhe në rrjedhimet e tyre. Aq më tepër që klasifikime të tilla, jo vetëm që të çojnë në vlerësime të gabuara historike, por edhe e tensionojnë bisedën deri në atë shkallë sa që humbet kuptimi i debatit dhe i shkëmbimit të mendimeve, sepse monarkistët e sotëm duke e parë se po e humbin terrenin përfundimisht, nuk lënë gur pa lëvizur për të sulmuar Nolin e madh, dhe mjerisht në këtë lojë kanë hyrë edhe politikanë e pushtetarë të cilët molloisin histori me histeri zogiste duke llogaritur disa vota me tepër sa herë afron koha e zgjedhjeve. Por histori me histeri nuk shkruhet.




VETVRASJA E NUNIT IM DHE VELLAI I TIJ I PUSHKATUAR PALOK UCI

USHTRIJA NACIONAL ÇLIRIMTARE SHQIPTARE
SHTABI I PËRGJITHSHËM
Seksioni Juridik
Nr. 36 i rregj
Tiranë, më 12/ III/ 45

R A D I O G R A M
GJYKATËS USHTARAKE TË KRAHINËS USHTARAKE TË KORPUSIT II
SHKODËR

Përgjegje shkresës Nr. 6/121 datë 25/ II/ 45
Aprovohet dënimi me vdekje për Nikoll Toma, Zef Toli, Gjon Marku, Nikoll Keçi, Kol Gjeta, Gjok Gjoni, Nikoll Baçi, Kol Marashi, Palok Uci.
Na njoftoni datën e ekzekutimit.
VDEKJE FASHIZMIT - LIRI POPULLIT
KOMANDANT I PËRGJITHSHËM
Gjeneral Kolonel
(Enver Hoxha)
(vula e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë nacional-çlirimtare)
(firma e E. Hoxhës)

VETVRASJA E NUNIT TIM DHE VELLAI I TIJ I PUSHKATUAR PALOK UCI

Një djalë Hoti nga rrethi im familjar u pushkatua e u harrua... Kisha kërkuar prej vitesh qoftë dhe një shënjë, një foto a shënim dhe nuk e dija se Muzeu Kombëtar Tiranë e ka nje dokument me emrin e tij, që po paraqesim. Personi me emrin Palok Uci që shënohet i fundit në listën e hartuar nga Enver Hoxha me 12 mars 1945, që jep pa mëshirë verdiktin e dënimit me vdekje të 9 burrava malësorë katolikë, ka qënë vëllai i Nunit tim Prenk Uci . Mjerisht ky dokument është e vetmja gjë që ka mbetur prej Palok Ucit një i ri nacionalist i ekzekutuar në moshë të re rreth 20 vjeçare. Të pushkatojnë rininë, të mbetesh pa varr, të humbësh sikur nuk ke jetuar kurrë...Vëllai i tij, që ka qënë Nuni im që më ka krezmuar ne Kishen e Madhe në Shkodër, ka qënë dënuar dhe ai me burg politik, dhe vonë ka bërë vetvrasje duke u hedhur nga spitali i qytetit. Palok Uci nuk ishte i martuar dhe Nuni im nuk kishte fëmijë e kështu dera e tyre u shua pergjithmone. Si famull, me bie barra e shpirtit të sjell në vemendje të lexuesve dokumentin e dënimit me vdekje dhe tregimin tim për fatin tragjik të vllezërve Palok dhe Prenk Uci nga Traboini i Hotit historik por të vendosur në Hot te Ri në Shkodër.

shkruar nga KOLEC TRABOINI

Hot i Ri, është fare pranë qytetit të Shkodrës, në verilindje të saj e shtëpitë e para të fshatit nisin diku mbi Stomgolem. E ngritën hotjanët e ikur prej trojeve të veta në Hotit të vjetër në Mal të Zi. Sipas kësaj mënyre riemrimi, janë krijuar edhe Gruda e re e Shtoji i ri.
Në Hot të Ri kishim shtëpinë tonë, që kur u krijua fshati. Im Atë e ndërtoj për shkollë dhe e tillë sherbeu deri vonë. Ishte ndër godinat e para të fshatit, krejt pranë qytetit e falë kësaj afersie, ne jetonim sa në Shkodër aq edhe në Hot e Ri.
Në traditën e Malësisë së Madhe, Nuni, ai që e krezmon fëmijën në Kishë, njihet si të ishte bash prind për fëmijën, famullin. E sjell këtë detaj se mungesa e babës, më është kompensuar disi me dashurinë thuaj prindërore të Nunit tim Prenk Uci, i cili me të shoqen, Marien, nuk kishin femijë, prandaj dhe sytë i kishin tek unë e më rrethonin me përkujdesje e jo rallë, më merrnin të rrija me ditë të tëra në shtëpinë e tyre diku në qëndër të Hotit të Ri. Ishte një shtëpi e thjeshtë, me mure betoni e me një guzhinë të vogël e në vazhdim kish haurin e bagëtive, se hotjanët tokën e kishin të varfër e për më tepër nuk ishte ujë për vaditje deri vonë sa përkundruall u ngrit ferma e Shtojit, më e madhja e vreshtave në Ballkan.
Një natë gushti të nxehtë, Maria e Nuni më pyetën se, a doja unë të flenim jashtë në oborr. Kurrë nuk kisha fjetur jashtë ndaj, duke e parë ngurrimin tim, Maria mu afrua pa dëgjuar Nuni e me tha me zë të butë e si me drojë „ A mos ke frikë me fjetë jashtë, mor bir?“. „Jo!“ dëgjova të dilte një zë. Ish zëri im, por pergjigej sedra, se frikë edhe kisha. E kështu atë natë të nxehtë gushti, ku gjinkallat pëlcisnin duke kënduar, vendosëm të flinim në oborrin para shtëpisë. Maria mi vuri shtrojat pranë vetes. Nuk mbaj mënd çka flisnim, veç di se, duke qënë e para natë e jetës sime që flija në natyrë, nuk doja të mbuloja kokën e të dukesha frikaman në sy të Nunit e Maries, ndaj i mbaja sytë drejt qiellit. Nisa të shoh çka ka ai qiell, që herë-herë zemërohej si i marrë sokaku e gjuante me rrufe në majë të pemëve. E ai qiell po më dukej, herë blu i thellë në vjollcë e herë si i stërpikun me ar, si xhubletat e malsoreve xixa-xixa, kaq të panumurt ishin yjet, e për tmerrin tim të vegjelisë, ndonjë prej tyre shkiste pjerrët sikur do të binte mbi shtëpitë e Hotit te Ri të përgjumur e ti përflakte, siç u përflak një herë e një kohë shtëpija e dy pleqve hotjanë, Prenk Gjoni e Lare Lekja, krejt ngjit me shtëpinë tonë e të Nikoll Lulashit që kishte një djalë të arratisin e të humbun diku në Australi.
Kurrë nuk i kam parë aq gjatë yjet, e mund të them se, që atë natë gushti te shtepija e Nunit, kam rënë në dashuri të perjetëshme me yjet. A thënë disi poetikisht, nuk fjeta unë atë natë, fjetën yjet në sytë e mi.
Kohë e largët, fëmini e vështirë, por nuk e di se si e pse më duket të ishte aq e bukur, a ndoshta se fytyrat që më rrethonin, kishin aq shumë dritë e mirësi në shpirt, sa çdo dhimbje jetimi humbej e tretej si në Hotin e Ri, fshatin e fëminisë time të largët por edhe në rrugën Badra, ku nën lëkurë nisi të më çukiste adoloshenca...
Mbaj mënd se Katedralja e Shkodrës, atë vit që u krezmova, u mbush plot. Tanë banorët e qytetit e nga katundet, kishin ardhë në atë të diel fundpranvere krezmimi. Madje kishin ardhë edhe shkodranë myslimanë sepse u pelqenin të shihnin ritualin.
Është rasti të them se im Atë, në të gjallë, kishte shumë miq myslimanë, të cilët i kish vllezër e shkuar vllezërish, veçmas në Postrribë, ku sa herë shkonte më merrte me vete me biçikletë e madje flinim në shtëpitë e miqëve të tij. Veçmas për dasma por edhe për festën e Bajramit.
Kisha e mbushun plot, fëmijët përafërsisht 10-12 vjeçarë, vajza e djem veshur me të bardha si engjej, të cilët, si mbaronte ceremonia fetare, merrnin rrugën kryesore që niste nga Serreqi për Gjuhadol, për të dalë tek Dugajt e Reja, por edhe drejtimet e tjera qenë plot me kalimtarë që bënin diç më shumë se sehir, sepse galdoheshin bashkë me ne të sapo krezmuarit.
Aty mbaj mënd që ceremoninë e drejtonte Dom Ernestoja, që paraprakisht në sa e sa ditë me durim na kishte dhënë mësime katekizmi. Ai ishte nipi e krenaria e Dadës Katrinë. Edhe ajo aty ish, pranë lterit, pranë kolonave që kishte pikturuar, siç thoshte ajo, daja Kolë (Idromeno).
Ndjehesha krenar tek me shihnin shkodranët, me Nunin Prenkë e mbaj mënd se dolëm edhe në fotografi. Ka qënë një prej ditëve më të gëzuara e më të shënuara të fëmijënise sime. Edhe fotografija ka qënë ruajtur deri vonë në shtëpinë tonë, por si gjithçka tjetër edhe ajo, s’u gjënd më.
Është e natyrshme që ajo fotografi të ketë qënë deri vonë edhe tek shtepija e Nunit tim, por veç erdh një kohë kur jeta e tij u këput pa pritur. Por para se të dal tek ajo ditë e zezë, do të kujtoj se ndër herët e fundit që e kam takuar Nun Prenkën, ka qënë koha kur sapo isha kthyer nga ushtria dhe kisha nisur punën në Fabrikën e Fibrës, buzë Zallit të Kirit, që ndodhej edhe buzë asaj rruge ku kalonin përditë hotjanët që shkonin e ktheheshin prej pazarit të Shkodrës.
Isha nisur për punë rreth orës një të drekës, sepse punoja turni i dytë. Sa zbrita nga autobuzi, pashë Nunin me biçiklet. Me pa dhe ai. U ndal, më shikoi drejt e në sy. Isha rrit. Por meqë në adoloshencë, prej një revolte të brëndëshme që më vinte prej fatit tim cubel, e kisha lëshuar veten pa i vu kurrfarë caku, isha kthyer si zog i lirë me fluturime pa kahje, ku të frynte era, a thënë shkodrançe „kudo rasha mos u vrasha“.
Nuni kishte dëgjuar për do mbrapshti të mijat e kishte qënë i shqetësuar për fatin tim. Por vitet kishin kaluar bashkë me adoloshencën që vetgenjehet si zogu që brof prej folesë pa ju forcue krahët e pa i dalë mirë puplat. E për këtë Nun Prenka më shihte thellë, me një dëshirë të madhe të burrnohesha e të ecja në jetë.
- Po a je mirë - më tha në fjalë të parë.
- Mirë jam, Nun!- ja ktheva.
- Po krejt mirë nuk ke kenë do vite t’shkueme.
- Havaja ndrron, o Nun. Une tash kam mbarue ushtrinë.
- Po, çka ke ndërmend me ba tash mas ushtrisë?
Po-të e Nunit nuk kishin të mbaruar. Ishte një burrë trup madh, i pashëm, me mustaqe të zeza e të trasha. Fort i urtë e i shtruar, por edhe i fortë si kurrkush ai. Mbaja mënd një ngjarje që bëri bujë në Hot të Ri. Nuni atëherë, i ri në moshë, ishte duke kaluar sipër në rrugë, sepse aty afer e kishte shtëpinë. Një grua Hoti, tek kuvendonte poshtë peqinave, honeve të bregut të Kirit, lëshoi një za të lartë:
“Ku-ke-ja, djali i Mirajve u fut në pus!“. Kush ishte pranë pusit u bë kurioz e nisi një kuvendim i zjarrtë. Si e pse kishte hyrë në pus djali i Mirajve. Thonin se dikë kish qëlluar me gur e kur e pa tjetrin të përgjakur nuk e desh veten. Thonin se ishte i dobët nga sistemi nervor e nuk duronte emocione të medha. Dy halle kishin gratë e Hotit të mbledhur me vlakat prej lastiku e litarë në duar, se i riu ishte në rrezik jete, mund të shkiste nëpër gurët e pusit e të binte në fund... E në vdes ky njeri, kush do të pinte ujë prej këtij pusi. Hot i Ri nuk kishte asnjë burim tjetër uji të pishëm.
Prenk Uci, i vështroi gratë e tmerruara, ju afrua pusit e, si hodhi një sy thellësisë së errët e të ftohtë, u tha:
- Rrini urtë, se tash po ja gjejmë anën kësaj pune.
Hoqi xhaketën, këpucët, vuri mbi to orën e xhepit, madje edhe një unazë të rëndë ari me shqiponjë, që nuk e hiqte kurrë nga gishti e nuk ishte trandur ndonjëherë ta shiste prej varfërisë.
Nisi të zbriste në pus nën tmerrin e grave që mbeten topitura. Gratë kishin të drejtë të ishin të friksueme, se pusi ishte fort i thellë, në pik të verës shkonte në thellësinë më të madhe.
Pak e nga pak, duke u mbështetur në gurët e murit rrethues të pusit, Prenk Uci zbriti deri atje ku qe kapur e rrinte i tmerruar i riu
Qe kish hyrë por nuk kish më forcë të dilte sepse e kish pushtuar frika e paniku...
-Ma jep dorën - i tha Prenk Uci, sapo e arriti. Djali i Mirajve i frikësuar i dha dorën shpëtimtarit të vet. Pak e nga pak u ngjitën e së bashku e dolën në krye. Njerëzve në fillim ju duk se u vonuan shumë e nisën të flasin përzishëm. Por kur u lëshua një zë nga poshtë, sikur u gjallëruan. Kur qe, Prenk Uci nxorri kokën e më pas trupin në grykën e pusit, u kap pas gurëve që litarët i kishin vrague thellë, i dha vetes e me djalin që e mbante fort për dore u gjënden të dy në këmbë në mes të grave e burrave të Hotit të Ri që ishim mbledh sepse fjala mori dhènë. Mori xhaketen e vet e tek ja hidhte djalit në krahë, me zë atëror i tha: “Mos u lsho mâ në pus se kush dreqin zbret prap. Veç unë e ti jemi guximtar pusesh në Hot e kurrkush tjetër. Asht bojagi i thellë.
“ I rrahi krahët, e pa thellë në sy e kur vuri re se i riu e kish marrë veten disi, u tha ta çonin në shtëpi, ti jepnin për të ngrenë, ta vinin për gjumë. E kurrnji fjalë të mos ja thoshte djalit kurrkush. As një qortim e as të mos ja përmend ma njeri këtë punë.
Ky ishte Prenk Uci, Nuni im, ai burrë tashmë i moshuar, por prap i fortë si ujk.
- Të pyta çka ke me ba tash e mrapa, se e kalumja ka shku e ka rru perja.- më tha Nuni, ndërsa unë vazhdoja të përftyroja atë skenë pusi, që kurrë nuk më hiqet nga kujtesa, se ishte një rast që e mbante në gojë tërë Hoti i Ri.E unë me atë Nun krenohesha.
- Jam duke punue përditë këtu, në fabrikë fjala bie, se unë punoj jashtë, në fushë të hapun, nën ernat e murlanin Zallit të Kirit. Po kjo s’asht gja. Do të filloj prap shkollën- i thashe, - Ma nderprenë pedagogjiken e më dërguan ushtar në Tropojë, por edhe pse jam vonë, do të perpiqëm me fitue ate që kam humbë.
- Çka don me u ba ti? Mësues?
- Jo mësues po gazetar.
- A mundesh?- më pyeti me dyshim.
Tunda kokën me shënjë pohimi.
Në fillim nuk foli, i la kohë mendimit e pastaj më tha:
- Ishalla ta hap zoti rrugën.Zemra ma do, që të mos thyhesh si unë.
Kaq të gjitha. I dhamë dorën njeri-tjetrit. Ja mbajta atë dorë gjatë, pashë unazën me shqiponjë, e thashë se Nuni im e donte shumë Atdheun, Shqipërinë edhe pse...Eh, pse... Jo se shqiponja (se ashtu më dukej Nuni) ishte plakur, por se kish një plagë për të cilën kurrë nuk fliste e kurrë nuk ju mbyll...
Duke u pa në sy, qëndruam paksa. Ndoshta janë pak sekonda, por që herë-herë të duket se kanë shtrirje të pafundme. Ai donte të dinte, a të mësonte prej thellësisë së shikimit se sa i vendosur isha unë për ta ndertuar jetën. Ndërsa unë, e shihja thellë sepse vija re se ishte disi i lodhur. Nuk ish më njeriu i fortë i pusit. Vija re se Nunit tim më shumë i fliste heshtja se fjala. Sepse fjalët i kishte të kursyera, por mendimet i zienin përbrënda. E shihja thellë sepse tashmë e kisha mësuar se Nuni im para se të më krezmonte, kish qënë 5 vjet në burg politik. Po kjo nuk qe më e keqja, se burgu për burrat është, flitej asokohe një shprehje në Hot të Ri.
Po Nuni im kishte veç burgut edhe një brengë. Një brengë të madhe sa një mal, që e mbante në shpirt si gur Sizifi. Se ishin dy vellëzër. Nuni im më i madh, vëllai i vet Palok Uci ma i vogël. E në fundin e luftës së dytë botërore, Palok Uci nuk i kishte mbushur ende njëzet. U njoh diku në një kuvend në Malësi me Prenk Calin, kreshnikun e Vermoshit me trup e trimni, i cili e mori pas vetes si shoqërues, se Palok Uci ishte i ri e trim. E kur Prenk Cali u dorëzua me kushtin që t’ja falnin jetën djemve të rij që kishte me vete, komunistët premtuan, por si të paburrni që ishin, për turpin e tyre, e kafshuan fjalen me përgjakje, e vranë Prenk Calin edhe ata djemtë i vranë. E nder ta ishte dhe Palok Uci.
Nuni ishte i fuqishëm si një div, veç brenda në shpirt gjysëm njeriu kish mbetur. Gjysma vetes i qe vrarë bashkë me vllanë.
U sëmur një ditë Nuni. Çudi të vjen të thuash se u sëmur ai farë burri që të dukej si gur a si lis. Por si të gjithë njerëzit dhe ai, erdhi një ditë që e ndjeu veten të ligshtuem. Maria e urtë që tek Prenka kish edhe sytë edhe shpirtin, e dërgoi në Spitalin Civil të Shkodrës. Atje veç sëmundjes që i brente trupin, që fundja i gjëndej ilaçi, Nunit tim, nisi ti rishfaqej imazhi i vëllait të përgjakur. Nisi të mendonte se fatalisht edhe ajo gjysëm që kish mbetur në gjoksin e tij, do të pushkatohej mizorisht prej komunistëve, që ishin aq në tërbim, sa kishin nisur të hanin kokat e njeri-tjetrit. Nuk mund të rronin hienat pa gjak, nuk mund të rronin pa kufoma.
I tmerruar Nuni nisi të shihte përqark me dyshim, në çdo skaj i shfaqeshin spiunë e sigurims, se vertetë aq të shumtë ishin. Herë- herë e kishin provokuar, por ai ish i matur, nuk e lëshonte fjalën jasht urtisë. Një pinjoll i derës hotjane që ka njoh historia me bëma të pashoqe, por edhe për besë e urti. Por këtu armiku nuk shfaqej përballë, këtu armiku, spiuni, shpifsi, hjeksi, i ligu, bishtadreqi, ishin të fshehtë. Të shfaqej si mik, të vinte në shtëpi, të pinte një gotë raki mani, e, fjalë pas fjalë, të betohej e të përbetohej e të fuste thikën pas shpine. Burrnija, nderi, e drejta në atë sistem kishin vdekur.
Një ditë, eh, një ditë,.... të mvrejtur e të pikëlluar shkodrane, nga dritaret e spitalit të Shkodrës, Nuni im Prenk Uci po shihte qiellin, i cili nuk i shfaqte kurrfarë shprese se tmerret njerëzore do të kishin të sosur.
Sërisht ju shfaq imazhi i vëllait të ekzekutuar, e si atëherë, kur pati guximin të hynte në pus, tashmë i ndjehej i lehtë fluturimi dhe, me atë unazën me shqiponjë në dorë, u hodh pertej dritaveve të mëdha të spitalit, fluturoi si shqiponjë në qiellin e pjerrët e të metaltë të Shkodrës, për të renë pik i vdekur, si të rrëzohej një shkemb prej shpateve të malit të Hotit...
E unë në fëmini mendoja se vdekje nuk kish guxim ta prekte atë burrë.
Vetvrasjen e Nunit tim Prenk Uci, gjithmonë e kam përftyruar si ekzekutim prej diktaturës të gjysmës tjetër, që kish mbetur brenda tij pas pushkatimit të vëllait 20 vjeçar, e për më tej, sipas ritit katolik, atij kanunor e njerëzor, si vdekja tragjike e gjysëm-Atit tim.

© Copyright Traboini 2012


NOLIN E PENGUAN BAJONETAT E SERBISË!


NOLIN E PENGUAN BAJONETAT E SERBISË!

Ka shumë që rrahin gjoksin si atdhetarë, ndërkohë që shajnë e pështyjnë Nolin e madh, çfarë të kujtojnë të mjerat miza në zverk të elefantit.

Shkruar nga KOLEC TRABOINI

Është për të ardhur keq se shpesh herë, qarqe e grupe të caktuara e trajtojnë historinë duke u nisur nga lidhjet fisnore apo të hierarkisë së sistemit, me të cilin kanë patur të bëjnë dikur pjestarë të familjes apo të afërm të tyre. Ka që bëjnë be e rrufe për mirësinë dhe bujarinë e një sistemi sikur të ishte prerja e artë e historisë. Kur them këtë kam parasysh shkrimin ironik me titull "Kush e pengoi Fan Nolin?" (të bënte demokracinë në Shqipëri-shënimi im, KT) por edhe mjaft shkrime të tjera të pinjollëve të hierarkëve të monarkisë vetanake zogiste. Duke ndjekur këtë stil dhe këtë mënyrë të gjykuari, (“Ja, lexojeni Statutin e Mbretërisë”- të thonë), sot mund të dalin pinjollë të diktaturës e të na bëjnë be e rrufe se koha e Enverit ishte demokraci e kulluar, sepse edhe në kushtetutën e saj ishin shkruar fjalët "demokraci" dhe "sovran është populli...".
Kohët ndërrojnë, por tradicioni politik i interesave mbetet. Shumica e atyre që lavdërojnë deri në qiell një sistem, koha e ka treguar se, ose kanë qënë të ingranuar në atë sistem, ose kanë përfituar prej tij privilegje ekonomike, shoqërore apo politike.
Mirëpo, që të dalësh sot e të thuash se ngjarjet e Maj-Qershorit 1924 ishin një grusht shteti, dhe akoma më tej, se Fan Noli ishte i paaftë për burrë shteti ngase ata që kishte rreth e qark ishin të paaftë gjithashtu, dhe në të kundërt, që veprimet e Ahmet Zogut ishin legale e legjitime, do të thotë që ta vlerësosh historinë që prapa ferrës sipas pikpamjeve tepër të ngushta, e të mos marrësh parasysh asnjë faktor e rrethanë të zhvillimit të atij revolucioni. Është e qartë se revolucionin nuk mund ta bëjë e ta udhëheqë një njeri i paaftë, madje as dhe një njeri me aftësi mbinjerëzore në qoftë se nuk ekzistojnë kushtet e rrethanat e favorshme për zhvillimin e tij, në qoftë se kundërshtitë mes forcave politike nuk kanë arritur në pikën ekstreme - për të cilën thuhet "kur mbarojnë fjalët nxirren shpatat".
Është mirë të studiohet historia deri në hollësi para se të konkludohet se një Revolucion është një Puç apo diçka tjetër.
Përdora shprehjen ‘kur mbarojnë fjalët...’ për të saktësuar se në pranverë 1924 ngjarjet u tensionuan jashtë mase (pra kishin mbaruar fjalët). Plagoset Ahmet Zogu në Parlament nga Beqir Valteri, i cili e finalizon “heroizmin” e tij duke u mbyllur në nevojtore.Ani pse se shumti Parlamenti eshte kthyer historikisht ne nevojtorja personale e pushtetit dhe e pushtetarëve të paskrupullt. Më pas dihet, Ahmet Zogu si mjeshtër i masakrave dhe terrorit, organizon vrasjen e Heroit Avni Rustemi - vrasje që revoltoi tërë popullin shqiptar në jug e në veri. Duke parë rrebeshin e urrejtjes popullore ndaj këtij akti kriminal, Ahmet Zogu nuk kish ç'të bënte veçse t’ia mbathte (mbathja e parë) përtej kufirit për të ndenjur në prehër të Beligradit.
Pa hyrë në hollësira mbi dilemat e Nolit si kryeministër apo në lojën diplomatike për pranimin e ambasadorit sovjetik që do t’i kushtonte rëndë, sepse i shtiu frikën diplomacisë europiane për rrezikun e shtrirjes së influencave ruso-bolshevike sovjetike në Ballkan dhe dobësi të tjera të programit të tij me reforma që mbetën në letër, pra pavarësisht nga këto, është pranuar nga të gjithë historianët se gjashtë muaj të qeverisjes së Nolit në Shqipëri ishin vite të demokracisë e jo të autokracisë dhe pushtetit absolut personal.
Aspekti tjetër i veçantë është se Noli erdhi në pushtet duke shfrytëzuar lëvizjen e forcave të brendëshme, përkundrazi ardhja e Ahmet Zogut nga Serbia dhe i armatosur me bajonetat serbe, konsiderohet si përmbysje e një qeverie nga ndërhyrja e jashtme, në rastin e Shqipërisë, të një armiku të jashtëm të deklaruar botërisht.
Se çfarë ishte dhuna e shovinizmit serb mbi popullin e Kosovës, e tregojnë lumenjtë e gjakut dhe nuk ka nevojë për komente, prandaj dhe ndonjë dashuri e madhe e serbëve për shqiptarët (që vuanin nën regjimin e Nolit!!!) veç ndonjë mendje e çalltisur mund ta bllaçitë. Dhe megjithatë, Serbia (fanatike orthodokse) iu bë krah ushtarakut meskin Ahmet Zogu dhe u vu të përmbyste një qeveri demokratike që gëzonte përkrahje popullore e që drejtohej nga një klerik i kulturuar orthodoks si Fan Noli. Këtë paradoks le ta spjegojnë ithtarët zogistë të rizgjuar tepër vonë tashmë. Le të spjegojnë gjithashtu në kontekstin historik se çfarë ndodhte në Kosovë në gjysmën e dytë të vitit 1924. A mos ishte ndalur, qoftë dhe për një çast, rrjedha e lumit të gjakut shqiptar në tokën dardane?
Paradoks mbetet edhe emri ‘Legalitet’, pra se si mund të vetëquhet legal një regjim që ta sjell armiku i popullit tënd, i cili gjithashtu mban të pushtuar gjysmën e truallit shqiptar, kjo është një nga çuditë më të mëdha monarkiste.
Epra, legaliteti i ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut është, jo vetëm i dyshimtë dhe jo legal, por edhe i turpshëm. Çfarë mund të thuhej sikur Sali Berisha, në pranverën e 97-tës të shkonte në Beograd tek Sllobodani, e ky ta ndihmonte të rivendoste "qetësinë", “rendin” dhe “legalitetin” e pushtetit të tij në Shqipëri?! Do të ishte e papranueshme dhe e urrejtshme për shqiptarët.
Po sikur Noli të zbarkonte me trupat ruso-bolshevike e ta “çlironte” edhe ai Shqipërinë sipas stilit përdredhan të Ahmet Zogut? Një mallkim e turp i përjetshëm do të binte mbi të. Por Fan Noli as nuk e bëri, dhe kurrë nuk do ta bënte këtë gjëmë, se binte ndesh me parimet e tij të larta demokratike e, megjithatë, edhe sot e kësaj dite përgojohet prej kallamarëve monarkistë, se gjoja desh solli një ambasador nga Moska, ndërkohë që rastin e invazionit të dhjetorit 1924 nën armët e Serbisë, këtë bëmëzezë në histori, kurrë nuk ia rënduan mbi shpatulla Ahmet Zogut. As atij vetë nuk iu bë qefi qeder, madje edhe kur e kompensoi Serbinë me Shën Naunin. Kjo, se ky riosh ambicioz vinte veten mbi Shqipërinë e shqiptarët, mbi Atdheun e Kombin.
Patriotët si Abas Ermënji, kurrë nuk pranuan që të angazhoheshin nën ombrellën e ndonjë fqinji shovinist si Greqia (akt që është në nderin e tyre) për rrëzimin e diktatorit Enver Hoxha dhe komunistëvë gjakpirës, gjë që Ahmet Zogu e bëri duke lëpirë duart e përgjakura të armiqve të Shqipërisë. Historia është e pamëshirëshme për puthadorët. Shërbimi i Beogradit që shtypte e vriste popullin shqiptar të Kosovës, kishte subvecionuar 2 milion dinarë të asaj kohe, vetëm për të siguruar karierën e Ahmet Zogut. Ky është një akt i pashembullt dhe koha, sado paradoksale, nuk mund ta motivojë e as ta përkëdhelë Zogun e vjetër - se me Lekën, si qytetar i thjeshtë shqiptar (por jo si pretendent), kjo temë nuk ka kurrfarë lidhjeje, pavarësisht nga zgjimi i vonuar i ca zogistëve që u ka mbetur ora një shekull prapa e duan ta bëjnë Shqipërinë mbretëri anadollake me ndonjë Lal Kros të ri.
Nga ana tjetër, është vërtet për të ardhur keq kur dëgjohen vlerësime tendencioze e të pamerituara për burrat e shtetit të cilët e rrethonin Fan Nolin. Ata ishin njerëz të mëdhenj, të cilët qëndrojnë denjësisht në peidestalin e historisë kombëtare. Ministër i Financave të Qeverisë së Fan Nolit ka qënë Luigj Gurakuqi, një nga tribunët e pavarësisë kombëtare në krah të Ismail Qemalit, një njeri me kulturë e dije të gjera, organizator i zoti, një ministër financash të cilin, kurrë më të aftë e më të ndershëm, nuk e ka pasur ndonjëherë Shqipëria. (Ah të kishim një të tillë tani që na mbyten ministrat hajdutë e të paaftë!). Pranë Nolit qëndronte një anëtar kabineti si Stavro Vinjau, një Zija Dibra, i cili nuk pranoi të largohej nga Shqipëria edhe kur Zogu me trupat mercenare e bashibozuke të armatosura në Serbi, hyri përdhunshëm në Tiranë. Si shpërblim për këtë qëndrim dinjitoz e atdhetar të Zija Dibrës, një i paskrupullt që nuk e njihte nderin si cilësi e virtut personal si Ahmet Zogu, vuri njerëz dhe e vrau prapa krahëve gjatë rrugës ndërsa përcillej në internim. Akt i denjë vetëm për një Zog. Pas Zija Dibrës do t’i vinte rradha njërit nga figurat më popullore në Shqipëri, Luigj Gurakuqit, më 2 Mars 1924, në Bari. Vetëm pak ditë më pas, Bajram Curri do të vritej nga bandat zogiste, më 29 mars në Dragobi, për ta mbyllur ciklin makbethian me Heroin Kombëtar Hasan Prishtina, që siç kam shkruar dhe më parë, kur ra ai, u fik Kosova. Kjo vrasje është shërbimi më i madh që i bëri Ahmet Zogu Serbisë shoviniste për gjunjëzimin përfundimtar e të përgjakur të Kosovës.
Ndërsa rreth e qark Ahmet Zogut ishin mbledhur njerëz të kategorisë Pandeli Evangjeli, të cilët nuk janë shquar kurrë për burra shteti por thjesht si nëpunës të bindur kryeulët. Vetëm nëqoftëse është fjala për Lal Krosin, injorantin analfabet i cili bënte ligjin e Maliqin në "Mbretërinë Shqyptare", atëherë po, sepse vërtet, demokratët e mëdhej të plejadës së Fan Nolit nuk kishin në mes vedi ndonjë Lal Kros sharlatan. “Çfarë thotë Zogu bën Lala, çfarë do Lala bën Zogu”.( Enver Hoxha e kishte adaptuar këtë parim zogist lalkrosian: “Çfarë do populli bën partia. Çfarë thotë partia bën populli”. Më shumë çiflik se shtet u katandis e varfëra Shqipëri. Por Shqipëria, as nuk ishte e as nuk do të bëhej kurrë një çiflik Lalësh nëse do të drejtohej edhe më tej nga burra të ditur si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Zija Dibra, Hasan Prishtina e të tjerë. Tashmë historia dihet: Me Enver Hoxhën, për të dytën herë, Shqipërisë i erdhi "shpëtimi" nga Beogradi drejtpërdrejt nga shtabi jugosllav i Josif Broz Titos.
Qeverisja e Nolit dhe e demokratëve të tjerë shqiptarë bashkëkohës të tij, pa pikë dyshimi, do t’i sillnin Shqipërisë zhvillime të reja bashkëkohore europiane. Madje mund shtohet se ndoshta nën influencën e tyre, populli do të mund të shpëtonte nga gracka e Partisë Komuniste Shqiptare e formuar dhe kjo nga miqtë serbë të Ahmet Zogut, por të Nolit kurrsesi.
Kjo për faktin se rinisë shqiptare dhe mbarë popullit të varfër e të mbetur në injorancë, i kishte ardhur në majë të hundës mbretëria e mbretërimi gjysëmfeudal zogist, ku oborri bënte jetë lluksi përrallore. Duke kënduar “Këngën e mjerimit”, populli e pati të lehtë të mashtrohej prej ideve spekulative e demagogjike të barazisë e të mirëqënies shoqërore që do të vendosej (gjoja) pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit fashistë. Nëqoftëse Shqipëria do të kishte patur deri në vitin 1939 një shtet demokratik sipas parimeve të ndritura noliane, padyshim që nuk do të ishte e lehtë të gënjeheshin dhe mashtroheshin njerëzit me pilula sllavo-komuniste të linjës Moskë-Beograd.
Prandaj, se si do të ishte historia e Shqipërisë pa Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën, kjo merret me mend dhe nuk ka nevojë për komente të gjata, ndërsa se si do të bëhej historia nëse Shqipëria do të ecte në rrugën e ideve demokratike dhe iluministe të Fan Nolit, kjo ka vend për hulumtime, sepse Fan Noli ishte një njeri universal dhe bota e ideve të tij ishte mjaft komplekse, por gjithsesi, shumë më e ndritur se çdo lloj diktature e tipit kontraversal Zogu-Hoxha.
Megjithëse këta dy kapituj janë kaq voluminozë e kaq kompleksë dhe me sense të kundërt saqë nuk mund të ezaurohen me një apo dy diskutime, sidoqoftë mund të themi se, me idealin e tij për një Shqipëri ekonomikisht të zhvilluar e kulturuar, për një shtet të ndërtuar mbi principet bashkëkohore europiane, me një shoqëri civile demokratike, Fan Nolin, më parë nga bashibozukët e halldupët pseudolegale të Ahmet bej Zogollit, e penguan dhe e rrëzuan bajonetat e Serbisë, për ndryshe sot, Shqipëria do të ishte Europë e jo siç është, një vend i braktisur në siujdhezën me emrin "harresë ballkanike".


Autori i shkrimit K. Traboini, dale tek varri i Fan Nolit ne Forest Hill të Bostonit, SHBA, eshte nder ithtaret me te zjarrte te Universit Nolian dhe fizikish shqiptari qe jeton me afer vendit ku pushon burri gjenial i kombit.

Shkrimi per Fan Nolin botuar ne gazeten "Tirana Observer " 22 janar 2012.



KUR FLET PER TE TJERET POHON VETVETEN



KUR FLET PER TE TJERET POHON VETVETEN

Meditim tek “E për7shtatshmja”

Ishte një mbrëmje shumë e bukur fillimdhjetori dhe ndjeva kënaqësi kur pashë se lexues me fytyra të reja e të bukura, studentë apo dhe profesorë, lexonin poezitë e 40 poetëve nga libri “Kujto poetin” në mbrëmjen poetike tek kafe-libraria e admirueshme “E përshtatshmja”. Ishte një akt mirënjohjeje për çfarë kanë shkruar poetët që nuk jetojnë më, për çfarë kanë ndjerë, për çfarë kanë sakrifikuar në një kohë të tmerrshme mbytëse të lirisë e të shpirtit krijues....
U fol në takim për Lazër Shantojën, Trifon Xhagjikën, Havzi Nelën, Vilson Blloshmin e Genc Lekën, u kujtuan Lasgush Poradeci dhe Martin Camaj, Arshi Pipa dhe Ndoc Gjetja, Bilal Xhaferri dhe Viktor Qurku, Zef Zorba dhe Agim Spahiu, Ali Asllani, Lame Kodra, Nexhat Hakiu, Azem Shkreli, Enver Gjergjeku, Murat Isaku, Vehbi Skenderi, Din Mehmeti, Dalan Luzaj dhe Vorea Ujka e plot të tjerë, për të veçantën Drita Çomo, për poetin tragjik dhe impresionant Ilir Belliu si dhe Anvi Mulaj që ndrroi jetë në Amerikë. Por edhe për një poete që botohet për herë të parë Suzana Selenica (falë kujtimeve të Roland Gjozes), e cila u masakrua nga diktatura për shpirtin e lirë.
Eshte për t`u falenderuar përkushtimi (në këtë kohë paradoksale antiart) i organizatores së mbrëmjeve të përjavshme poetike, Elvana Zaimi, dhe mjedisin e ngrohtë që krijoi Agron Tufa, i cili e drejtoi aq bukur atë mbrëmje poetike ku folëm si autorë të albumit “Kujto poetin” Iliriana Sulkuqi edhe unë, që kam patur fatin e madh që disa prej poetëve të këtij Albumi, si Dodë Kaçaj, Frederik Rreshpja, Tonin Shtjefni, Pirro Kuqi, Zyhdi Morava, Jamarbër Marko i kam patur shokë fëmijërie, rinie, në bankat e Universitetit apo kolegë pune.
Qenka shumë herë më bukur kur mblidhesh e flet për krijimet e miqve sesa për vete, aq më tepër kur këta miq poetë nuk mund t’i shohim e takojmë më si dikur. Duke ma ditur këtë natyrë, është kjo arsyeja që kur po hyja në një emision Albanin Screen TV për një intervistë mbi krijimtarine time filmike dhe poetike, mikja ime poete Luljeta Lleshanaku më tha:- "Kolec, fol për vete se ke çfarë thua." E unë i thashë mikes sime të mirë: "Ah sikur të dija të flisja për vete", dhe në emisionin “Orkidea” me Ema Andrea nisa te flas për Hotin-përndryshe, shkatërrimin e një miti... Sepse kam mendimin, se duke folë për të tjerët, për shokët e miqtë, për prindërit, qytetin, fshatin, prejardhjen e historinë, kemi folë shumë më mirë e shumë më bukur edhe për veten...

KOLEC TRABOINI

Fotografia një montazh grafik nga fondi i aktiviteteve poetike të Elvana Zaimit tek e Për7shmja.



QE TE JEMI TE LIRE SOT DUHET TE KUJTOJME TE DJESHMEN....

QE TE JEMI TE LIRE SOT DUHET TE KUJTOJME TE DJESHMEN....

Një film dhe një intervistë per masakrimin e Klerit katolik Shqiptar nga diktatura
bashkë me librin "Kujto poetin".



Kineasti dhe poeti Kolec Traboini dha një shfaqje filmash dokumentar ne AQSHF, nder te cilet terhoqi vemendje filmi i shkurter dokumentar "Martiret", realizim i vitit 2011. Ai dha gjithashtu intervistë per Televizionin ABC News dhe aktivitetin e shfaqjes se filmave te tij e pasqyruan mediat ne Tirane duke përfshire gazetat dhe televizionet.


Kolec Traboini gjatë intervistes me gazetarin e televizionit ABC News Enkel Demi.



Kolec Traboini paraqiti para shikuesve edhe librin e tij të fundit me bashkautor "Kujto poetin".


KOLEC TRABOINI, PORTRET ARTISTIK NE ARKIVIN E FILMIT

E kanë menduar si një takim ekspoze nga krijimtaria e Kolec Traboinit. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit (AQSHF), më datë 23 nëntor 2011, organizoi një takim-ekspoze nga krijimtaria e Kolec Traboinit, gjatë së cilës do u shfaqen filmat: “Dëshmi nga Barleti”- dokumentar historik, realizim i vitit 1990, “Martirët”, realizim i vitit 2011, që ka si subjekt masakrën që është bërë në vitet e diktaturës ndaj klerit katolik shqiptar, ku u ekzekutuan 32 meshtarë, njerëz të kulturës dhe të dijeve, poetë, studiues dhe folkloristë. Traboini paraqiti gjithashtu edhe dhjetë etyde filmike të realizuara prej tij vitet e fundit si sintezë poetike e krijimtarisë së vet si poet dhe kineast.
Kolec Traboini, autor i 16 librave me poezi, prozë dhe esè, u lind në Shkodër dhe është i biri i patriotit të njohur Palok Traboini - mësues, publiçist dhe sekretar i Dedë Gjo Lulit, Flamurtar i Deçiqit më 6 prill 1911, pjesmarrës në dy luftëra kombëtare, ajo e Pavarësisë dhe Lufta e Koplikut 1920.
I mbetur jetim në moshë të vogël, jetoi për disa vite në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Ka ndjekur për dy vjet shkollën Pedagogjike "Ndrec Ndue Gjoka" në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Tropojë, ka punuar rreth 4 vjet në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Më pas ka vazhduar studimet në Universitetin e Tiranës, dega Gazetari. Gjatë kohës që ishte student botoi librin me tregime "Petalet e bajames së hidhur" 1973, i cili u vlerësua me çmim inkurajues në konkursin Kombëtar të Letërsisë dhe Arteve.
Pas mbarimit të studimeve është emëruar redaktor-skenarist në Kinostudio, Tiranë, ku punoi 16-të vjet, ndërsa për një dekadë drejtoi redaksinë e filmit dokumentar. Është fitues i kupave për filmat dokumentarë në dy festivale kombëtare të filmit shqiptar: "Asdreni" 1976, "Kështjella e këngëve" 1990. Filmi "Dëshmi nga Barleti" me skenar e regji të K. Traboinit u vlerësua si filmi më i mirë i Kinostudios për vitin 1990. Eshtë autor i mjaft filmave të vlerësuar, si "Kol Idromeno", "Hasan Prishtina", etj, si dhe skenarist edhe i disa filmave vizatimorë ndër të cilët "Portreti" me regji të Artan Makut, film i cili stigmatizonte me guxim megallomaninë e udhëheqësve të kohës së diktaturës. Eshtë skenarist i filmit dokumentar "Përse kështu"(Estetika e veshjeve) që kritikonte të metat e dobësitë e sistemit të prodhimit konfeksional në kushtet e mekanizmit të vjetëruar të ekonomisë së ngecur shqiptare(1989-1990), film që u ndalua të qarkullonte sepse organet e nomenklaturës komuniste e konsideruan nxirje të realitetit socialist (Gazeta Mapo, 17 mars 2011).
Situatën e krijuar në 1990, Traboini e priti me entuziazëm dhe mori pjesë gjallërisht në veprimtarinë demokratike. Në 16 janar 1991 boton në Gazetën "RD" shkrimin me titull "Vlera e simboleve kombëtare", ku kërkonte publikisht heqjen e yllit komunist nga flamuri kombëtar. Eshtë nisiator dhe organizator i të parit tubim të krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike, e cila u kthye në një demostratë të fuqishme antikomuniste.
Traboini largohet nga Shqipëria në 28 shkurt të vitit 1991 dhe vendoset si emigrant jo legal në Athinë. Kjo gjendje pasigurie nuk e pengoi atë që më 10 Prill 1993, të krijonte e të shpërndante ndër emigrantë, të parën gazetë në gjuhën shqipe në Greqi “Egnatia”. Në Greqi bashkëpunoi me presidentin e arvanitasve të Greqisë, studiuesin e publiçistin e madh, Aristidh Kola (1944-2000). Gjatë viteve të jetës si emigrant në Athinë botoi tre libra midis të cilëve “Balada e largësive” - i pari libër në gjuhën shqipe i botuar në Greqi, një album me poezitë e emigrantëve shqiptarë.
Në gusht 1995, Traboini me status legal emigroi në SHBA dhe u vendos në qytetin e Bostonit. Në Amerikë shkroi e botoi rreth dhjetë libra me poezi, prozë e publicistikë ndër të cilët: “Katërkëndëshi i mundimeve”-prozë, “Mos vdis dashuri”- poezi, “E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias”-esè, “Requiem për një gjethe”-poezi, “Lufta e Maleve-Palok Traboini”-letërsi dokumentare, “Koha e prostitutave”-lirika&etyde. Në vitet e fundit ka botuar "Itaka grua"-lirika, “Kujto poetin”, një album poetik për 40 poetë që nuk jetojnë më, në mes tyre pesë të ekzekutuar nga diktatura si dhe përmbledhjen e fundit me lirika “Lule Pellazgjike”. Së shpejti sheh dritën e botimit libri i tij me shqipërime nga poezia botërore “Nga Safo tek Bukowski”.
Në dekadën e fundit ka realizuar mbi pesëdhjetë krijime filmike të metrazhit të shkurtër, duke përfshirë filma dokumentarë si “Martirët”, realizim i vitit 2011, që ka si subjekt masakrën e bërë në vitet e diktaturës ndaj klerit katolik shqiptar, ku u ekzekutuan 32 meshtarë, njerëz të kulturës dhe të dijeve, poetë, studiues dhe folkloristë. Traboini është autor i dhjetra etydeve filmike - poezia në ekran, të realizuara prej tij si sintezë e krijimtarisë së vet si poet dhe kineast.
Për veprimtarinë poetike dhe esèistike është vlerësuar me çmimin e përvitshëm letrar “Pena e Artë-Kadmus” 2008 nga Klubi i Shkrimtarëve “Drita” Athinë. Në vitin 1994, Kolec Traboini është pranuar anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, me qendër në Bruksel, ndërsa në nëntor 2001 nga Kongresi i Lidhjes Shqiptare në Botë mbajtur në Prizren, është zgjedhur anëtar i këshillit drejtues të LSHB-së. Eshtë ndër krijuesit shqiptaro-amerikanë më aktiv në shtypin e Komunitetit Shqiptar në Amerikë dhe Diasporë.

Gazeta "Metropol" 23 nëntor 2011 Nr. 2521 f.22
gjithashtu në "Telegraf"22 nëntor 2011 Nr. 282(1832) f.18, "Shqip" 23 nëntor 2011,Nr.320 f.29, "Shekulli "23 nëntor 2011, Nr. 3516 f. 19.







GEGNISHTJA E PUSHKATUEME-....dhe një proverb idhnak për gjuhëtarët tanë.

GEGNISHTJA E PUSHKATUEME

....dhe një proverb idhnak për gjuhëtarët tanë.

Një proverb shkodran sa historik aq dhe aktual për gjuhëtarët tanë thotë: "Asht idhnue Drishti e s'po na bjen ma qepë". Sepse Drishti, anipse me një histori të lavdishme deri në kohë të Skënderbeut dhe Venecianëve, që e kishin nën protektorat, ka kenë degradue si qytezë duke u kthyer në një fshat me një lavdi të perëndueme brenda një kështjelle, rrënojat e të cilës janë ende; pra që nuk përmendej ma veç për qepët e veta. Me një fjalë, mbidhnin qepë e shihnin andrra me lavdi. Fati tragjik i një sundim-pushtimi afro 500 vjeçar...
Shkodranët, sipas tahmisë tonë, e kanë nxjerrë këtë batutë të bukur, të lëmueme prej kohnave, me nënkuptue se nëse Drishti në idhnim s'po na i shet ma qepët e veta, shkue pas këtij tarbjati pra, ma shumë se neve po damton vedin, sepse tjetër zanat e të ardhuna nuk kanë veç mbjedhjes e shitjes së qepëve.
Kjo shprehje e bukur është e ngjashme me të njohurën "Ufulla e fortë then enën e vet". Nuk e di a ka ndonjë kuptim tjetër që mund të dalë prej kësaj proverbe shkodrane.
Kap pas ksaj rrfane, po na duket se kjo përkon aq bukur me Gjuhëtarët e Tiranës (ky Drisht me lavdi mbi rrënoja) që idhnohen nga se nuk po duen me e afrue të bukurën, gegnishten tonë as në fjalor e as në sintaksë e i gëzohen veç një Drejtshkrimi të cunguem e Fjalori mjeran, që ma shumë e turpëron se e nderon Gjuhën Shqipe. Sepse në të leksiku ka 35 mijë fjalë që po të pjestohen me 6 (sepse 6 fjalë janë veç me termin parazit - kooperativë, që nuk e përdor ma kurrkush prej alergjisë kooperativiste enveriane), atëherë përfundimi krejt mjerueshëm na del se jemi në kufinjtë e 6 mijë fjalëve.
Që pra mbrothësia e përparimi ynë për t`u qarë me lotë: gjuha ma e vjetër me rranjë tek etruskët e pellazgët, në ilirishte e mandej po na shfaqet si ma e varfëra gjuhë në Europë, e kjo falë gjuhëtarëve të epokës pa lavdi të Enver Hoxhës.
A thue këta dijetarë të piskatuem nëpër foltore e kanë lexue Fjalorin e Gegnishtes të albanologut e gjuhëtarit të pushkatuem në një shpellë në Gegni në vitin 1946, Dom Nikoll Gazullin? Si nuk po gjendet ky fjalor nëpër librari ku po ngjeshen stivë librat për Enver Hoxhën. Kështu që edhe vepra e viktimës mbetet viktimë edhe pas vdekjes së autorit....e kjo deri në pafundësi. Pse pra?- a ka kush me u përgjigj në këtë vend për këto zezona.
Se kanë pushkatue jo veç poetë, xhelat-padronët e gjuhëtarëve tanë, por edhe gjuhëtarë të vërtetë gegë, që gegnishtja e vrame të mos nxirrte krye ma kurrë. Edhe vorrin me ia hupë, siç banë me Nikoll Gazullin, që falë kujdesit të njerëzve, vendvarrimi u ruajt në kujtesë e eshtnat ma së fundi iu gjendën. A thue edhe me eshtnat e gegnishtes së pushkatueme po ndodh kështu, të lanuna në një varr të harruem.
Më këtë nuk mohojmë çfarë është arritur, por atë çka qëllimisht asht anashkalue duke e damtue deri në âsht të bukurën Gjuhën tonë Shqipe.
Nuk hymë në probleme të gjuhësisë se nuk na takon ne, por spjeguem një proverb idhnak, po aq idhnak sa gjuhëtarët tanë që, edhe pse dhuna mbi gjuhën si mbi popullin ka tejkalue tashma, nuk po duen me dalë prej llogoreve të një kohe të perëndueme bashkë me lavdinë e Drishtit, që përdhunshëm zgjedha e historisë e vuni të prodhojë e të shesë vetëm qepë.

* * *

Për të shkuar edhe më tej nuk besoj se zhvillimet gjuhësore të një vendi, në kushte moderne vendosen nga poshtë. Nga poshtë nuk vjen kurrgja. “Jeni ju pa jemi ne, o popull” është veç një përrallë tinzare tiranësh, cinizmi i të cilëve nuk ka fund. Demagogjia se vendos populli është një mënyrë e stërhollueme për t`i hedhur hi syve vetë popullit e për ta përgjumur atë sepse ai nuk vendos për kurrgja mbi faqe te dheut. Madje edhe kur thërritet për një kauzë në bulevarde a në sheshe, populli shërben thjesht si mish për top. Nëse nuk mësojmë asgjë nga 21 janari, ku ithtarët e partive kacafyteshin si qentë, tregon se jemi të papërgjegjshëm ose më e pakta mediokër që nuk shohim përtej dy pishave që i lëshojnë halat e tyre përmbi trupa njerëzish.
Pra për gjithçka në këtë vend vendoset nga lart. Ashtu si legjislacioni i një shteti vendoset nga lart, nga organet Legjislative, Kuvendi e tjerë edhe Gjuha që është një institucion, nuk mund të vendoset kurrqysh ndryshe. Nga poshtë mund të bëhet vetëm presion nëpërmjet formave mediatike, si për çdo problem tjetër. Po ka një të vërtetë, nëse poshtë heshtet, çështja e inkludimit të gegnishtes në gjuhën e njësuar shqipe anashkalohet e lihet në harrim. Prandaj duhet folur e shkruar anipse bien në vesh të shurdhër. Rreziku më i madh është se si të ikë edhe ky brez, që janë ende afër me gegnishtën, krijohet një hendek e mjegullnajë dhe kjo kauzë do të humbë njëherë e përgjithmonë. Gjuhëtarët e vjetër që janë ithtarë të tosknishtes nga pozicione fanatike, këtë kërkojnë, ta shtyjnë problemin deri në kalandat greke e kjo çështje të vijë duke u shue nëpër vite, deri në harrim. Në fund të fjalës, brezat nisin të mësohen me një trajtë, qoftë kjo edhe e gabueshme dhe shkojnë si tufa atje ku i çon dashi me kumonë i keqqeverisjes..
Falë zotit jemi ende gjallë dhe është koha që me një presion nga poshtë t`i detyrojmë gjuhëtarët e llogoreve të dalin e paqësisht të pranojnë që ata vetë të bajnë korrigjimin e fajit që kanë ba ndaj gegnishtes. Nuk themi që çfarë është arritur të prishet, se nuk jemi në '91-in, por me urtësi e mençuri të rishikohen gabimet historike, e të mos shkojmë po aq gabueshëm në udhën e përçarjes që na vuri Enveri kur shpalli luftën e klasave edhe në gjuhë, sepse gegët e gegnishtja u shpallën botërisht reaksionare, armike, bashke me Kanunin e Lek Dukagjinit, që ishte pjesa ma e çmueme e kulturës arbërore e që tregonte përpjekjet për civilizim të malësoreve nëpërmjet një kodi që aso kohe nuk e kishte as Europa e zhytur në errësirën e feudalizmit - para se të vinte Rilindja e madhërishme që nxorri titanë.
Sot nuk ka ma asnjë shkak që të ngulmojmë me frymën e imponimit të dhunshëm edhe në fushë të gjuhës, e cila kurrsesi nuk guxon të bahet fushëbetejë klanesh, krahinash, partish apo ideologjish shterpë, aq ma tepër fush përçarjesh jug-veri.

Kolec Traboini © 2011



Presidenti Arvanitas Jorgo Jeru në Tiranë

JORGO JERU & KOLEC TRABOINI
Presidentin e Arvanitasve te Greqise studiuesin JORGO JERU ishte ne Panairin e Librit Tirana 2011. Studiuesi shqiptar Niko Stillos kishte hapur nje stende te veçante me libra te tij studimore per etrusket dhe pellazget, kishte vendosur gjithashtu edhe mjaft botime te studuesve arvanitas.

RRENACAKE ME FLAMUR

RRENACAKE ME FLAMUR

Shkruar nga Kolec Traboini

Përtej populizmit pragmatik nuk di tjetër ku po rreh kjo lëvizje politike me Flamur. Fort po drue se atë të shkretin flamur, me të cilin ka një shekull që po tregtojnë laskandraqët e historisë, e kanë veç si strehë. Nuk e kam të qartë asprogramin e tyre. Më shumë më duket si bashkim fansash të ekipit kombëtar të futbollit. Ata që e komandojnë në prapaskenë apo dhe në tribunë, nëse kanë ambicje politike së pari duhet të jenë të qartë në programin e tyre.
E them këtë sepse të gjitha grupimet në Shqipëri, që kur mbahet mend historia,i kanë shërbyer kryetarit të fisit, të klanit, Njëshit, me Zog e me Enver, me dhelpra e sorra, e me të gjithë ç’kanë ardhur më pas.
Mjerisht ndër shqiptarë ideal është kulti. Ende nuk jam i qartë se kush do të jetë kulti i këtij pështjellimi pa formë. Nuk besoj se mund të dalë prej rrjedhave historike për të qënë ndryshe. Sepse edhe kur thonë sot ndryshe ata janë kurrgjë më shumë se kopja e së djeshmes.
Në Shqipëri kur je nr.1 i një partie ke si platformë dy qëllime, të jesh absolut dhe i përjetshëm. Dhe prezenca e numrit 1 të partisë të jetë në plan të parë kahmos.
Ne jemi një vend i vogël, aq i vogël sa konsiderohemi të papërfillshëm në hullitë e zhvillimet historike të kësaj bote. Mirëpo kemi nja 100 liderë partish që janë prezent kudo, sa na kanë mbirë në sy deri në shpifje.
Në Amerikë askush nuk e di kush është lider i partisë Republikane apo i Partisë demokrate. Ejani e më thoni kush janë liderët e partive të shtetit më të fuqishëm në botë. Nuk i dini me shkakun e thjeshtë se nuk i shihni të dalin kurrkund në Median e shkruar e vizive. Ja që nuk i njeh kurrkush as në Amerikë e as në Shqipëri....
Pse duhet të ndodhë ndryshe tek ne? Pse duhet që Pinxho Kapella i partisë lëng groshe të njihet nga kushdo dhe të llomotisë në TV sa të çajë menderen.
Sa për Kreshnikun e vogël kaçurrel të lëvizjes populiste për t`u bërë parti e për të kërcyernë kolltuk e qeveri, do të thosha se kam një përvojë të hidhur të hipokrizisë së këtij udhëheqesi të ri të Aleancës Kuqe Zi.
Duke parëse tërë shtigjet ku mund të kërkonte drejtësi, në këtë vend ku korrupsioni merret si virtyt, i kishte të mbyllura, i kam këshilluar gruas së një komandanti të UÇK-së të vrarë në luftën e 2001 në trojet shqiptare, Dëshmor i Atdheut, (kur e nxorrën në rrugë me dy fëmijë jetimë nga gjykata mediokre e Tiranës dhe deputeti i lëvizjes “Vetvendosja” F.K., një ish-spekullator në New York me paratë e fondit"Vendlindja thërret"), të shkojë pra tek dera e zyrës së Kreshnik Spahiut, që është nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, t’ikërkojë drejtësi sepse gjyqi, si palë epaditur që ishte, i kish zhvilluar seancat e nxjerrë vendimin pa i lajmëruar dhe pa praninë e tyre. Pra të kërkonte prej Kreshnik Spahiut, nën/kryetar i KLD-së së këtij vendi që drejtësia të bëhej drejtësi e jo lesh e li në Gjykatën e Tiranës.
E çfarë bëri ky burrë i vogël që kërkon të bëhet politikan i madh....Nuk e priti.
Sekretari që rrinte në portë të tij tha se nuk qe në zyrë, por në të vërtetë Kreshnik Spahiu ishte në zyrë ku në vend të drejtësisë merrej me politikë të madhe. Edhe të nesërmen e njëjta skenë. Kreshnik Spahiu gjoja nuk gjendej në zyrë. E megjithatë aty ish. Një hipokrizie gjallë dhe e paprinciptë për një njeri që pretendon të mbikqyrë drejtësinë shqiptare.
Si nuk i dhëmbi shpirti për dy jetimët e Dëshmorit të Atdheut që edhe sot e kësaj dite vuajnë për faktin që një gjyqtar mediokër apo një gjykatë e kopromentuar i la pa strehë, kur ata i kanë dhënë këtij kombi jetën e babain e tyre, i cili kurrë më nuk mund t’u kthehet.
Nëse të vdekurit ndjejnë, çfarë torturë është për Dëshmorin e Atdheut, Komandant Teli, kur fëmijëte tij janë braktisur e lënë pa strehë pikërisht prej këtij shteti që duhej të shfaqej si prind e jo si despot mbi ta. Faqja e zezë. Turpi i të gjallëve.
Mjerimi i mjerimit për një popull është kur harron bijtë e vet që kanë sakrifikuar jetën që ai të gëzojë dritë e liri. Mosmirënjohja në këtë rast konsiderohet si shkatërrim i vlerave mbi të cilat ngrihet një shtet.
Si e ndjejnë veten sot dhe si do ta ndjejnë në të ardhmen këta fëmijë të braktisurnga drejtësia shqiptare, të anashkaluar nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. E si mund të kemi besim që ky farë burri me kaçurrela përmbi hundë se mund të bëjë diçka për Shqipërinë e shqiptarinë. Jo more jo. Nëse nuk bën dot asgjë për Njerinë, asgjë nuk mund të bësh për Shqipërinë. Ndaj i kam hequr vizë se është një kameleon i ngjyer kuq e zi, por shpejt do t`i dalë e kuqja e do të shfaqetsi fundi i tenxheres...
Kështu përshtypja ime për Kreshnikun e vogël që kur i vura shënimin në faqen e tij internetike për serbët që u shfaqën si nëpër tymra mesjete tek Pallati i Kongreseve, u kujtua që të nesërmen të shprehte një qëndrimme dy rrjeshta (më ka çue nana me la gojën) kur tregtarët serbët po iknin, pa harruar të hiqte shënimin tim, se mos i binte reputacioni njeriut që i mbeti dora në shkop të flamurit. Kështu doli në skenë si kofini pas të vjeli beniamini i ri i politikës në skenën zhurmëmadhe shqiptare ku yjet veç lindin e kurrë nuk shuhen.
O Zot, deri kur do të fahemi me kësisoj rrypash e qypash, kësisoj rrenash e kësisoj rrenacakësh kësulkuqë.
Tanimë edhe rrenacakë me Flamur!

QOFTE BEOGRADI DHE GJENIU PA BREKE - Në Panairit Librit Tirana 2011 -

Panairi i librit hapur me 9 nëntor 2011 në Tiranë.

Në hyrje të Panairit gjoja shqiptar të Librit 2011, në Tiranë, një qofte-restorant tymi me emrin Beograd, ekipi flet serbisht dhe kënga serbe buçet në sheshin para Pallatit të Kongreseve.


QOFTE BEOGRADI DHE GJENIU PA BREKE

- Në Panairin librit Tirana 2011 -

Pyes veten, anipse e di se kurrkush nuk më përgjigjet. E megjithatë në Panairin e Librit Tiranë tek Pallati i Kongreseve, vazhdon të qëndrojë një shënim me gërma të mëdha “Beograd”, me gërma sllave sigurisht se serbët e kanë alergji latinishten e gërmave që përdor mbarë Europa, gjithë kjo sepse ata që kanë në dorë çelsat e Tiranës ua kishin lëshuar lejen serbëve me shitë qofte e birrë shqiptarëve... Kuku moj nanë.....A jam në Beograd apo në Tiranë. Si nuk flet kurrkush kurrgja. Hë, mo, - të thonë - se qofte e salçiçe janë. Po edhe kënga serbe buçet në atë shesh e përzihet me erë tym salçiçesh. Kamarieri, një gjatojë që duket edhe si pronar, të flet serbisht. Në sheshin para pallatit të Kongreseve buçet kënga serbe si të vinte kah terrinat e mesjetës. E fortë paske qenë, moj Serbi!

Këtu nuk është problemi tek qoftet, tymi e kënga, por tek mentaliteti prej skllavi që kanë politikanët shqiptarë....që zgërlaqen tek shohin fjalën Beograd në ballë të Panairit të librit Shqiptar që në të vërtetë nuk është aspak shqiptar, sepse vetëm tre librave me lëng supe të Elena Kadaresë, Blendi Fevziut dhe Ben Blushit. Foto-busti i Blendi Fevziut shfaqet dukshëm në konkurencë me fotobustet e Enver Hoxhës në kohë të diktaturës. Nuk ka asnjë shkrimtar që në të gjallë t`i jetë bërë foto-busti kaq i madh sa i Blendi Fevziut, këtë megallomani ia ka ushqyer një universitet me emër të madh, por me reputacion të vogël, Universiteti Europian i Tiranës. Dhe natyrisht libri i fundit voluminoz i politikanit Ben Blushi, ku fiksioni përzihet me politikën krejt ngjashëm me lesh e linë që bën sot politika klanore shqiptare. Në tre këta soj libra gjysmetrosh, nxirren Kadareja, Shqipëria dhe Enver Hoxha pa brekë, tjetër gjë shqiptare nuk shihet kurrkund në këtë Panair. Duhet te shtohet dhe "Kurbani" i Edi Ramës që panairi të shfaq një kuadraturë solide të shkrimtarisë pa shkrimtarë.

Shkojnë e vinë shqiptarët dhe pasi blejnë libra të huaj që maten me metër (shqiptarët po përbuzin vetveten) kthehen e pijnë një birrë Stela dhe hanë qofte "Made in Beograd". E ju duket se janë në Serbi.

Megjithatë duhet me gjetë një farë mënyre me u kënaqë me këtë farë Panairi, se t`i shohësh gjeniut të letrave koqet nuk është pak....

E rri e mendon në të thella i shkreti gjeni i shpupluem prej të vetëve...të gjitha Helenat paskan qenë Trojë.

KOLEC TRABOINI


Foto-busti i Blendi Fevziut në konkurencë me foto-bustet e Enver Hoxhës në kohë të diktaturës. Nuk ka asnjë shkrimtar që në të gjallë t`i jetë bërë foto-busti kaq i madh sa i Blendi Fevziut, këtë megallomani ia ka ushqyer një universitet me emër të madh, por me reputacion të vogël, Universiteti Europian i Tiranës.

Si të keni vizituar panairin gjoja shqiptar të librit, keni mundësi të ndjeni aromën e qofteve Made in Serbia.



IKEN QOFTEXHIJT E BEOGRADIT - MEDIA SHQIPTARE E ZGERLAQUN

Nga Kolec TRABOINI

Më 11 nëntor në mbrëmje pamë që qoftexhijtë e Beogradit e shëmben kasollen përpara Pallatit të Kongreseve. Më kënga serbe nuk u degjua... Qenë shuar dritat dhe prishja e tendave po bëhej në gjysëm errsirë. Por për këtë bëmë-gjëmë që ndodhi faqe mbarë publikut shqiptar me qofte e aheng serb ani pse e dërguam fejtonin tonë në të gjitha gazetat askush nuk b’zani.
A thue shtypi e televizioni shqiptar e ka frikë Serbinë? Po ku je mor "Shekull" po ku je moj "Gazetë Shqiptare", po ku je moj "Koha jonë" që ke mbet si hija e vetvetes, që më ke qënë dikur një heroinë...e sot zgërlaqesh... Ku jeni more analistë të përnatshëm në TV. Ku jeni more Blendi Fevziu, Çim Peka, Sokol Balla, Roland Qafoku, Frrok Çupi, Fatos Lubonja, Peza, Babarama, Artanë e Stefanë që shaheni e shqyheni me njëri tjetrin e na çani zollotën përnatë për politikën në TV. Kjo që po ndodh në sytë e nën hundën tuaj a nuk është politikë? E çfarë politike...Zezona politikë.
Pas shënimit që i bëmë në adresë të Aleancës Kuq e Zi në faqen e saj internetike, ajo reagoi, por bash atëherë kur serbët po shëmbnin kasollen e mblidhnin tenxheret.
A thue Serbia i ka hedhur nerva-paralizues mbarë këtij vendi?! Mos o Zot! Se, si rrojmë ne me Media të përgjumun e të hardallosun? Nuku per bese!
Ejani më bindni tani se ne jemi në udhë të mbrothësisë siç ëndërronin e dëshëronin rilindasit tanë të mëdhej.
More, qeni qepen ta hajë, nuk folën e nuk shkruan asnjë rrjesht. As nuk pyeten se si e kush ua dha lejën serbëve të ngulin çadrat primitivisht si të ishin në Kabul a Kandahar, e ku, në mes të kryeqytetit shqiptar për të tymosur Pallatin e Kongreseve.
Janë të zënë deri në grykë mënçurakët tanë të medias vizive e të shkruar me shoun e dites, se si e me kë ka bërë gili-vili, kështu e ashtu me femrat gjeniu i letrave. Por edhe ky nga ana e tij me të shoqen shkrimtare, po këtë problem verrë në ujë kanë. Ndaj u shfaqën të dy në të njëjtën ditë në gazetën "Panorama" duke u përbetuar se të dashurat siç po thonë disa, janë "mike shtëpie" e jo dashnore krevati. Rajmonda Bulku nga ana e saj ka kallxuar në gjyq Kastriot Myftarin, duke kërkuar që gjyqi të vertetojë mosdashurinë e saj për Ismailin - O tempera o Mores! Po ku ka gjyq në botë, vec Arnautstanit tonë, që e vërtetojë se e ke dashur apo nuk e ke dashur një njeri... ( Moj dashuri moj fshehtësi -thoshte poeti.)
Nuk ka harruar gjeniu i letrave të thotë në intervistën në “Panorama” te dates 11 nentor edhe se sa të ëmbla, të bukura, të afrueshme, me kulturë e tejet bujare kanë qënë vajzat ruse të viteve ’60. Gjysëm shekulli më parë. Duart në kokë! O zot, po kujt i plasi për ato vajza ruse që sot ose janë plaka të rrudhura nëpër azile pleqësh ( nostalgji pleqërishte), ose bëjnë qypa në botën tjetër.
Probleme të mëdha ka ky komb mbi shpatulla more vllezër shqiptarë. Si arrin dhe i mban. Apo është Sizif ky kombi ynë. Ngre e rrëzo gurë nga maj e malit...
E se po del tym Serbie në mes të Tiranës askush nuk ka dert.
Por falë zotit ikën. Thyen qafën në Serbi...Veçse prap do të kthehen, ta dini.
Me shkakun se, sa të kemi këtë skotë politikanësh pa gen shqiptar( ca thonë janë grekë e ca thonë janë serb, turq ca të tjerë - këta lapërdharë) këtë tym qoftesh Serbie do të dëgjoni...
Lum ne sa tradhtarë të mëdhej që kemi.

Pershendetje
nga Beograd-Stani i Tiranës para Pallatit të Kongreseve

MITINGU 91 - “KURBAN” NE MES TE BERISHES DHE RAMES



MITINGU 91 - “KURBAN” NE MES TE BERISHES DHE RAMES

Divers politik

Duke ditur se manipulimet e historisë janë arti i fallxhorëve të politikës, prej vitesh e kisha lënë në heshtje mënyrën e organizimit e zhvillimit të mitingut madhështor të krijuesve e intelektualëve të Tiranës në kapërcyell të vitit 90-91 kur ende diktatura mbahej në këmbë, mirëpo tani që kryeministri i Shqipërisë e cilësoi si "mitingun tonë", ndërsa kryetari i opozitës edhe ai nga ana e tij në librin e vet “Kurban” e konsideron si një miting partiak, unë edhe më tej nuk mund të hesht, sepse tashmë kjo heshtje do të ishte e pakuptimtë. Këta liderë partish janë në të drejtën e tyre të bëjnë kurban bëmat e veta gjatë këtyre dy dekadave, por jo të personalizojnë apo privatizojnë ngjarje në të cilat kanë qenë thjesht të ftuar e jo organizatorë. Kanë aq shumë merita mbi shpatulla këta burra shteti sa do të qe e pakuptimtë të rëndoheshin edhe si nisiatorë mitingjesh të bëra prej të tjerëve. Mos vallë me këtë duan të nënkuptojnë se jashtë partive nuk ekzistonte asfarë aspirate për liri e demokraci dhe se kurrkush tjetër veç partiakëve nuk mund të shkruajë histori?

Nga KOLEC TRABOINI

Në librin që botuesja Arlinda Dudaj përcolli me eufori në mediat televizive, “Kurban” të Edi Ramës, kryetarit të opozitës së sotme, thuhet tekstualisht: “…pak ditë më pas kur ( nënkuptohet Sali Berisha- shënimi im K.T.) donte të na pengonte Ardianin (Klosin), Kasemin( Trebeshinën) dhe mua të flisnim në mitingun ku për herë të parë u godit në fjalën time hapur në shesh figura e Enverit, te Stadiumi “Qemal Stafa”, ku na drejtoi gishtin në sy pa u mbledhur ende njerëzit duke na thënë se “ju s’mund ta merrni fjalën sot se s’kemi kërkuar leje në polici për ju…”
Këtë pjesë libri botuar në gazetën “Panorama” viti X.Nr.3248 datë 28 tetor 2011, redaksia ose autori e kanë shënuar me titull: “Si më largoi Berisha nga mitingu i PD në `91”.
Ne nuk dimë çfarë t`i themi Edi Ramës, as nuk mund t`i japim ndonjë këshillë, sepse ai është në majë të piramidës socialiste e zor se i shkon zëri ynë aq lart, por gjithsesi e mira do të qe që ata këshilltarë që i mban me bukë, që mesa shihet janë të painformuar, nuk lexojnë as çfarë shkruhet në gazetat shqipe, apo në TVSH pikërisht për këtë informacion të gabuar që përcjell tek lexuesit e vet. Eshtë shkruar në shtyp se Mitingu që përmend Edi Rama nuk është inicuar e as organizuar nga PD dhe as ndonjë organ tjetër përpos se prej krijuesve të Kinostudios. Do ta shtjellojmë këtë ngjarje të para dy dekadave më me hollësi, por le të shohin se çfarë mendimi kanë për këtë çështje pala tjetër antagoniste e politikës konfliktuale shqiptare.
Mesa duket për gjithçka janë në kundërshti këto dy forca politike që zotërojnë vendin, por në një gjë janë në një mendje, që mitingun e parë të krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike janë bërë nga PD. Po të mos isha unë që e kam inicuar e organizuar ketë miting, padyshim që nuk do të kisha marrë mundimin t`i përgënjeshtroj këta dy burra kombi. Para se të hedhim dritë mbi këtë ngjarje, le të shohim çfarë thotë kreu i partisë në pushtet.


* * *

“Ky njeri, - thotë kryeministri Berisha për opozitarin e vet të kolltukut, Edi Rama, - do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit dhe do të më thoshte se ky fjalimi yt nuk është gjë, është i butë, sepse ata duhen varur. E pashë drejt e në sy e i thashë: - kë duhet të varim? Ata, - më tha - Komitetin Qendror dhe Byronë Politike. Unë iu përgjigja se nuk kam krijuar partinë e varjeve, por kam krijuar Partinë Demokratike.”
Në pikpamje partiake e vetmja gjë që mund të them është se si nisiatori i formimit të degës së PD për Kinostudion, as në atë kohë e as sot nuk kam qenë e nuk jam i mendimit se ne, veprimtarët e lëvizjes demokratike në terren, po formonin degët e partisë së liderëve të rinj. Ky nocion nuk ekzistonte në kokën time e të kolegëve të mi, sepse na ishte shpifur ideja e themeluesit të partisë komuniste dhe nuk na pëlqente të notonim në ato ujra kultesh. Sa i përket bindjeve të mia, dhe besoj jo vetëm të mia, që i kam shprehur që në numrin 3 të gazetës RD, janar 1991, ku kërkoja heqjen e yllit të kuq nga Flamuri dhe kallzave të grurit nga stema e Republikës, Partia Demokratike e atyre ditëve është formuar si një imediat historik, si parti e demokracisë dhe e kurrnji individi të përveçëm në këtë vend të rënduar nga kulti gjysëm shekullor i individit. Kulti i Enver Hoxhës,(pse jo dhe i Zogut) i kishte lodhur aq shumë psiqikisht njerëzit (flas më tepër për intelektualët e jo turmat që nëpër tërë shekujt vetëm kanë brohoritur), saqë nuk kishim dëshirë të dëgjonim për liderë në ballë të tribunave.
Por kjo çështja e personalizimit të partive, tashmë nuk është në preokupimin tim, sepse nuk bëj pjesë në asnjë prej tyre, kryekreje për faktin se nuk janë ato për të cilën mendoja se do të ishin. Le ta marrë mbi shpatulla kushdo që dëshiron të bëjë karrierë e të luftojë për mirëqënie e lavdi personale, sepse tashmë partitë janë leva arkimedi për të marrë pushtetin dhe pushteti mjeti me të cilin mund të bëhen para me bollëk duke përdorur të dyja duart, në njërën duke mbajtur pankarta kolosale të luftës kundër korrupsionit, ndërsa në tjetrën duke mbushur xhepat e vet, ndërkohë që boshatisen xhepat e shtetit. Që në atë kohë, soj soj benjaminësh e ligavecësh të rinj të politikës, vinin rrotull dhe me lajka përpiqeshin të ngjiteshin në shkallët e pushtetit e mund të themi se ia arritën mjeshtërisht.
Luftëtarët më të mëdhenj zëbuçitës me bla-bla-bla oratorike gjatë daljeve nëpër podiume ishin komunistët, bijtë e rrethi i afërt i tyre, por edhe ish-spiunët e sigurimit. Ata më shumë se kushdo kishin nevojë të shfaqeshin si liderë të rinj dhe të mbulonin erën e keqe të së kaluarës së vet të palavdishme.
Dihet që politikanët e interesit e jo të idealit janë si minjtë që braktisin të parët anijen që mbytet. Kështu ndodhi edhe në Shqipëri. Minjtë e kuq nisën të zhagiten e llangosen blu. Kjo blujadë nuk ishte e vështirë të binte në sy. Kushdo që ishte ndryshe, që nuk kishte të tilla orekse, por vepronte thjesht nga dëshira për të parë popullin e lirë pasi të shembej komunizmi, e ndjente veten të huaj në mjediset e këtyre liderve të rinj që, kush e kush t’i ngrinte shpatullat më lart se njëri-tjetri.
Koha e tregoi se lufta për pushtet që u bë në mes të liderve të rinj të vetquajtur demokratë, ishte aq e ashpër dhe e pakompromis sa të duket se më shumë luftonin njëri-tjetrin se sa me farën e keqe të komunizmit, e cila vërtet ishte tek kuadrovikët e Partisë së komunistëve shqiptarë, por edhe këta liderë të rinj ishin të molepsur jo pak me sporjet e kuqe.
Tani le të shqyrtojmë shprehjen e kryeministrit që tekstualisht thotë: -“Ky njeri do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit”.
Biblioteka e Universitetit gjendet pranë sheshit që tashmë quhet “Nënë Tereza“ dhe nga pas ka stadiumin kombëtar. Tërë gjasat janë që Kryeministri Berisha t'i referohet jo mitingjeve të Partisë që e ka formuar ai, sepse nuk dimë të ketë bërë partia e tij ndonjë miting në atë shesh, përkundrazi më i spikaturi ka qënë mitingu madhështor i intelektualëve të institucioneve artistike të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Mirëpo nëse është fjala pikërisht për këtë miting, kryeministri është i paqartë sepse e personalizon. Madje shkon edhe më tej në kur thotë se ky njeri, pra Edi Rama, atëbotë pedagog i Insitutit të Lartë të Arteve, paska shkuar në mitingun e PD-së. Përkundrazi, ishte kryepartiaku Sali Berisha që shkonte në atë miting ku Edi Rama ishte në mjedisin e vet prej intelektualësh të institucioneve artistike të kryeqytetit (anipse në mënyrë habitore edhe vetë Edi Rama në “Kurbanin” e tij e bën kurban këtë miting duka ja faturuar PD-së dhe duke ia mohuar vetvetes), çfarë tregon se të dy këta kanë rreth vetes këshilltarë të paaftë, sepse Kryeministri dhe Kryeopozitari sjellin referenca të gabuara në median publike.
Ai miting nuk ka qenë nisiativë e asnjë partie, ai është organizuar nga krijuesit e Kinostudios, thënë saktë ka qënë nisiativa ime, sepse po vija re se pak intelektualë të institucioneve artistike të kryeqytetit po solidarizoheshin me partinë e re demokratike që sapo ishte formuar. Po krijohej përshtypja se intelektualët krijues ishin indiferentë, gjë që nuk ishte e vërtetë. Aq më tepër neve si kineastë na takonte të ishim nisiatorë për faktin se kushdo në Shqipëri e dinte sesi kolektivi krijues i Kinostudios e kishte përcjellë me bisht ndër shalë, sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë dhe anëtarin e byrosë politike, Foto Çami, sa u përhap fjala nga kuadrovikët e partisë diktaturë se në Kinostudio kish bërë fole armiku. Ndër veprimtaritë që kam zhvilluar ato ditë ka qenë edhe hapja e një fushate ndihmash monetare për PD-në. Mblodha një grup punonjësish dhe kërkova të krijonim degën e PD-së për Kinostudion. Për këtë kam shkuar e takuar Azem Hajdarin, i cili e pëlqeu dhe e përkrahu idenë e krijimit të degës së PD dhe më pajisi me një autorizim të posaçëm me firmën e tij. Duke i parë lëvizjet e mia, një grup oficerësh sigurimi të veshur civilë, kanë shkuar në Kinostudio dhe kërkuan të më takojnë, por atë ditë kam qenë me xhirime jashtë Tirane, saktësisht në Shkoder me xhirimin e filmit “Dëshmi nga Barleti”. Kanë takuar drejtorin Viktor Gjika duke kërkuar prej tij të dhëna për personin tim. Viktor Gjika më ka thirrur e njoftuar se të kanë në sy të keq ata të Ministrisë së Brendshme, ndaj bëj kujdes për veten dhe shtoi se u përpoqa sa munda të të marr nën mbrojtje. Pa patur parasysh këtë presion, vazhdova punën për formimin e degës së PD-së për institucionin tonë. Fotografitë e asaj dite janë ende në fondin e kameramanit Spartak Papadhimitri në Tiranë. Kjo sa për njoftim që të mos ngrihet ndonjë i vonuar, që ka hyrë në PD nja dhjetë vjet më pas dhe brenda natës na u gjend ministër e të na thotë ky i përkëdhelur i tarafit -"Po, ne s'të njohim fare". Se këta, fillimin e historisë së partisë blu apo rozë e llogarisin nga dita kur kanë nxjerrë lugën nga brezi e kanë nisur të hanë mjaltë qeverisje sa janë dendur mirë. Në selinë e PD kam takuar një dibran që rrinte në holl si punë sekretari për informacionin, në mos gabohem me emrin Zenel Hoxha, të cilit i kam kërkuar ndihmë për të nxjerrë një leje për zhvillimin e mitingut, për arsye se mitingjet nuk mund të bëheshin me kërkesa individuale, por këto kërkesa duhej të kalonin nga zyrat e partive. Më parë kisha shkuar në Ministrinë e Brendshme dhe ata ma kishin prerë se nuk japim leje për mitingje se ato janë ekskluzivitet i partive të miratuara me legjislacion prandaj të shkoni e të bëni kërkesën nëpermjet tyre. Siç dukej ishin marrë të gjitha masat nga Partia Punës mbase në marrveshje edhe me krerët e PD-s, që çdo veprimtari të mbikqyrej duke mbyllur çdo shteg të nisiativave qytetare prej të cilave kishin frikë. Zeneli më ka kërkuar të mbush një formular ku duhej të përshkruaja qëllimin e mitingut dhe ku e kur dëshiroja të zhvillohej. Pasi e kam mbushur e firmosur formularin me kërkesën për një miting krijuesish e intelektualësh të Kinostudios, më ka kërkuar edhe emrat e dy personave të tjerë që do të shënoheshin si garant në atë letër e që bashkë me mua do të ishin përgjegjës para ligjit për zhvillimin e mitingut. Kërkesë që ai me emrat tonë do ta paraqiste në Ministrinë e Brendshme. I kërkova ndihmë regjisorit Mark Topallaj që u shpreh i gatshëm ta firmoste. Duhej edhe një i tretë, të cilin duke mos patur mundësi ta gjeja menjëherë, sepse duhet të shkoja sërisht në Kinostudio, vendosa të shënoj regjisorin Saimir Kumbaro dhe ta lajmëroja më vonë, i bindur që Saimiri nuk do të kundërshtonte vënien e emrit të tij në listë, anipse pa e lajmëruar. Si nismëtar i këtij mitingu bëra dhe një akt të kundraligjshëm duke firmosur në vend të Saimirit. Ndoshta koha dhe rrjedhimet historike më shfajsojnë.

* * *

Tërë problemi ishte se Ministria e Brendshme në fillim rrinte duke i lëvizur datën mitingut e kur përfundimisht u caktua një datë, nisi odisea e vendit ku do të zhvillohej. Në shtatë ditët e fundit, shtatë herë është ndërruar vendi i zhvillimit të tij. Kjo nxirrte shumë problem, sepse sa herë ndërrohej vendi, aq herë isha i detyruar të shkoja e të lajmëroja tërë institucionet artistiko-kulturore të Tiranës. Na thanë, nuk ua japim sheshin pas Bibliotekës Universitare, por do të shkoni ta zhvilloni tek Fusha e lagjes "Ali Demi". Ditën tjetër, kërciste telefoni i Zenelit e një zë i rëndë oficeri thoshte: "Nuk do ta bëni atje, por do të shkoni tek fusha e druve në Qytetin e Nxënësve, tek gazermat e Ali Rizait". A është e saktë? - i thosha Zenelit. “Eja nesër prapë më thoshte Zeneli, i cili bënte punën e ndërmjetësit. Pas kësaj niste vrapi im nëpër institucionet që nga Kinostudioja tek Opera, Biblioteka Kombëtare, Teatri Popullor, Estrada e Cirku, Radio Televizioni, Ndërmarrja Botuese, Instituti i Kulturës Popullore, Insituti i Monumenteve të Kulturës ku më priste me shprehjen "Prap e anulluan, derrat!"- e ndjera Fatbardha Shkupi. Pastaj me vrap tek Filologjiku, Universiteti dhe Instituti i Lartë i Arteve. Ishte një lodhje e rraskapitje e krijuar me qëllim që të na bënim të hiqnim dorë ose më e pakta, duke e ndërruar vendin shtatë here, njerëzit do të futeshin në konfuzion dhe nuk do të mblidheshin në një vend, por do të shpërndaheshin në tre vende.
Ditën e fundit nga dreka, Ministria e Brendshme na njoftoi se ishim të lejuar ta bënim atje ku kishim kërkuar, por do të mbanin përgjegjësi të plotë personale nëse devijonte nga programi. Merreni me mend çfarë tensioni. Kishin mbetur vetëm pak orë. Të gjitha institucionet e dinin se mitingu do të zhvillohej tek Qyteti i Nxënësve. M`u krijua përshtypja se ky miting ishte paracaktuar të dështonte. Bëra vrapimin e fundit atletik, një maratonë e vërtetë nëpër Tiranë dhe si njoftova kë munda, shkova drejt e tek sheshi pas Bibliotekës Universitare. Isha i pari. I rraskapitur dhe i pangrënë u ula në një shkallë guri e po qetësoja frymën, kur nisen tek-tuk të duken njerëz që më pyesnin se a do të ketë këtu një miting. Më së fundi arritën të mblidhen jo më shumë se njëqind vetë. Nisën ta marrin fjalën njerëz që e kishin dhënë emrin në listën që kisha në dorë, por edhe spontanisht. Kisha ndërmend të flisja dhe unë por nuk kisha pikë fuqie, pastaj i thashë vetes, nëse ky miting zhvillohet mirë, unë e kam thënë fjalën time më mirë se me oratori megafoni. Nuk shkuan vetëm disa dhjetra minuta dhe erdhën studentët e Institutit të Arteve dhe ata të Universitetit Teknik. Nisa të shoh njerëz që mund të ishin çfarëdo, por jo intelektuale. I kisha thënë një të njohurit tim inxhinier në kombinatin e drurit dhe ai i kishte njoftuar të gjithë, por edhe në ndërmarrje të tjera kish shkuar fjala. Kur mitingu ishte në gjysmën e kohës së caktuar, në shesh nuk mund të lëvizje prej dendësisë së njerëzve. Më kot e mbaja letrën në dorë, kurrkush më nuk mund ta drejtonte atë miting. Çdo gjë ishte në dorën e spontanitetit. Edi Rama tha atëherë këto fjalë: "Na skuqën si indianë, na zverdhën si kineze e na nxinë si afrikanë", por ama, ai nuk është përzënë nga ai miting. Kundërshtitë dhe meritë vetiake që kishin ata që aspironin për të ngjitur shkallët e pushtetit janë çështje që nuk kanë asnjë lidhje me këtë miting historik të cilin dikush mbase qëllimisht e ka harruar ngaqë nuk e kanë bërë vetë.
Kaq shumë thirrje kundër diktaturës nisën të lëshohen nga qytetarët, sepse ata të tribunës ishin të përmbajtur, sa fjalimet u bënë jo vetëm të padëgjueshme por edhe të pakuptimta. Në mes të atyre që folën vura re dy kategori, njëra përbëhej nga ata që ëndërronin të ngjisnin shkallën e karrierës, tjetra nga ata që kërkonin të mbulonin diçka pas vetes.
Ky ishte stili, ky ishte e vazhdon të jetë karakteri i shumë laskandraqëve që flasin nëpër foltore partish e shoqatash, madje edhe në Kuvendin e madh të Popullit, duke spekulluar me hapjen e dosjeve, kur spiunët e deklaruar i mbanin pranë vetes, i përkrahnin e ju gjenin edhe ndonjë vend të ngrohtë për të bërë allishverishe e korrupsion.
Mbyllja e mitingut, ishte jo fund por fillimi i shprehjes së revoltës popullore. Ishin mbledhur mijëra njerëz në sheshin para Universitetit rreth e qark shatërvanit. Kish nisur të errej dhe disa njerëz kishin gjetur qirinj dhe i kishin ndezur. Dikush ndizte gazeta të vjetra duke i bërë si pishtarë. Turma prej mijëra vetësh po derdhej si një lumë. Ishte një lum vigan që kërkonte shtrat dhe hapësirë për të vërshuar. Dëshira ishte që ky lumë njerëzor të vërshonte në bulevardin kryesor, mes Kryeministrisë dhe selisë së Komitetit Qendror për t'i bërë sfidë atyre që tashmë dridheshin si minjtë duke kujtuar kufomën e pushkatuar të Çausheskut të Rumanisë.
Sigurimi e nuhati dhe bllokoi rrugën kryesore duke lejuar vetëm kalimin e pjesshëm në trotuar. Turma prej mijëra vetësh duke kënduar "Se mjaft në robëri,/e mjera Shqipëri,/o djem rrëmbeni pushkët-ë,/ja vdekje, ja liri", ktheu drejtim dhe mori nga rruga e Librit Universitar drejt kryqëzimit të Tiranës së Re. E tërë Tirana buçiste. Nuk e di pse atë natë ndjehesha më i lumtur së kurrë e më dukej se kisha bërë gjënë më të mirë në jetën time. Dhe këtë mendim e ndjenjë kam edhe sot kur i kujtoj ato skena, që nuk mund të përsëriten më kurrë. Ai miting ishte pararendësi i një zhvillimi tjetër madhështor, rrëzimi i bustit të diktatorit.
Në mitingun që filloi nga intelektualët krijues, por që u përqafua nga tëra shtresat e banorëve të kryeqytetit, populli mati forcën e vet dhe e ndjeu se ishte i fuqishëm, ndaj dhe më pas guxoi dhe e plandosi përdhe duke e hequr zvarrë bronxin e diktatorit më të egër e të paskrupullt të Europës.